Një grup prej dhjetëra tifozësh dardanë e kanë shfaqur përkrahjen e tyre për Kosovën në kryeqytetin bullgar, Sofje, duke ndezur atmosferën në prag të ndeshjes kualifikuese për Kampionat Evropian kundër Bullgarisë.
Bullgaria e pret sonte Kosovën në stadiumin kombëtar Vasil Levski në Sofje, në një ndeshje të rrethit të katërt të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Një grup tifozësh të Kosovës, të cilët kanë udhëtuar drejt Sofjes për ta përkrahur nga afër kombëtaren verdhekaltër, e kanë pushtuar kryeqendrën bullgare duke kënduar dhe vallëzuar me këngë shqipe.
Ata dëgjohen duke e kënduar këngën popullore “Oj Kosovën oj nëna ime”, si dhe duke e brohoritur emrin e Kosovës, para ndeshjes që nis në orën 20:45, sipas kohës lokale në Bullgari, apo 19:45 sipas kohës lokale në Kosovë.
Verdhekaltrit vijnë nga një barazim zhgënjyes me Malin e Zi të premten në Podgoricë dhe kanë udhëtuar drejt Sofjes me katër mungesa shumë të rëndësishme, mesfushorët kryesorë Valon Berisha, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, të cilët mungojnë si pasojë e lëndimeve, dhe futbollistin e tyre më të mirë, Arbër Zenelin, i cili u dëmtuar rëndë ndaj malazezëve.
Kosova debutoi në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian pikërisht kundër Bullgarisë me një barazim 1:1 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në muajin mars. Ngjashëm si atëherë, edhe të premten djelmoshat e Bernard Challandes barazuan 1:1 me Malin e Zi dhe tani kanë dy pikë nga po aq ndeshje, në një grup të cilit i prin Anglia me gjashtë pikë.
“Dardanët” janë të pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit garuese dhe miqësore, tetë fitore dhe pesë barazime, por nuk e kanë shijuar fitoren në tri ndeshjet e fundit, apo që prej triumfit madhështor ndaj Azerbajxhanit në fund të vitit të kaluar në Ligën e Kombeve.
Bullgaria, ndërkohë, nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit, duke humbur dy herë dhe duke barazuar katër herë të tjera. Për herë të fundit, Kombëtarja bullgare shijoi fitoren në tetor kundër Qipros në Ligën e Kombeve.
https://tiger.cdnja.co/v/jl/JlaE.mp4?secure=GXD55WVQdKdmcaLXRJbRuw&expires=1560177000
https://tiger.cdnja.co/v/gd/gdZE.mp4?secure=DUAN64TKgLV3hJ9WixBF7g&expires=1560177000
https://tiger.cdnja.co/v/nk/NKL7.mp4?secure=HK9jJJK2-5eDAsQX8HyWsQ&expires=1560177000