Gjuha e urrejtjes, në asnjë mënyrë nuk është duke u zbehur por përsëri, ajo vazhdon të rritet vazhdimisht në vendin tonë. Qytetarët përballen me gjuhën e urrejtjes në media, internet, stadiume dhe jetën e përditshme. Përhapja e gjuhës së urrejtjes shpesh përfundon edhe me dhunë dhe krime të urrejtjes
Zenel MIFTARI
Shkup, 15 shtator – Gjatë fundjavës stadiumin “Toshe Proeski” është zhvilluar ndeshja e javës së pestë mes Vardarit dhe Shkupit. Si në të kaluarën kur është përballur një ekip maqedonas me atë shqiptarë, edhe në këtë ndeshje kishte të shara dhe ofendime në baza etnike. Gjuha e urrejtjes në asnjë mënyrë nuk është duke u zbehur por ajo vazhdon të rritet vazhdimisht në vendin tonë. Qytetarët përballen me gjuhën e urrejtjes në media, internet, stadiume dhe jetën e përditshme. Përhapja e gjuhës së urrejtjes shpesh përfundon edhe me dhunë dhe krime të urrejtjes. Prandaj, lufta kundër gjuhës së urrejtjes është shumë dimensionale dhe zhvillohet në fusha të ndryshme.
Ndërkohë rasti i fundit, ku tifozët e Vardarit të quajtur “Komitë”, duke kaluar nga sheshi “Maqedonia” kanë brohoritur, “shqiptari vdekur, është shqiptari mirë”. Ky rast ka alarmuar opinionin publik, pasi që këto raste ndikojnë dukshëm në rritjen e incidenteve etnike. Aktivistët e ndryshëm të shoqërisë civile në reagimet e tyre në rrjete sociale thonë se vendi ynë vazhdon të ketë ambient dhe hapësirë të madhe për gjuhën e urrejtjes. Sipas tyre, fenomeni i urrejtjes etnike dhe sharjeve në tribunat e stadiumeve daton herët në Maqedoninë e Veriut. Por shqetësuese është se aspak nuk merren masa nga autoritetet kompetente që të përmirësohet kjo situatë. Si pasoj e mos përfilljes nga organet shtetërore, urrejtja dhe racizmi në stadiume vetëm se çka është shtuar edhe më shumë me kalimin e kohës.
Ndërkohë sipas njohësve të rrethanave, grupet e tifozëve në vendin tonë shpesh janë përdorur nga politikanët dhe partitë politike për të promovuar nacionalizmin dhe përhapjen e propagandës politike. Në anën tjetër, Ligji i Maqedonisë për parandalimin e dhunës dhe gjuhës së urrejtjes në ngjarjet sportive, dhunë dhe sjellje të pahijshme llogarit të gjitha veprimet, si futja dhe shfaqja e banderolave, flamujve dhe materialeve të tjera me tekst, figurë, shenjë ose karakteristika të tjera, si dhe këndimi i këngëve ose dërgimi i mesazheve që provokojnë dhe nxisin gjuhë të urrejtjes ose dhunë në bazë të përkatësisë racore, kombëtare dhe fetare.
Shpesh herë mediat dhe OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare, kanë publikuar thirrje të cilat kanë kërkuar nga organet shtetërore t’i dënojnë personat që përdorin gjuhë të urrejtjes, por fatkeqësisht deri më tani shumë pak janë marrë me këtë fenomen. Gjithashtu në vendin tonë kemi dënime minimale për personat që përdorin gjuhë të urrejtjes. Sipas Ligjit, në vendin tonë ata që nxisin gjuhë të urrejtjes, dënimi për ata kap vlerën deri në 1.000 euro, i cili është dënimi më i ulët në rajon për sa i përket gjuhës së urrejtjes. (koha.mk)