Kjo çështje që ka shumë paragjykime e frustrime brenda vetes, tejkalohet fare lehtë me një hedhje sysh Kushtetutës së vitit 1974, ku nuk ka pasur kategorizime përqindjesh… Meqë Zaevi dhe Mickovski kanë deklaruar se janë për t’i përmendur shqiptarët dhe gjuhën shqipe në Kushtetutë, s’ka më asnjë pengesë që kjo të ndodhë në një të ardhme të afërt…
Nga Daut DAUTI
- GJUHA NË LIGJ, E LIGJI KUJT SI T’I TEKET!
M’është bërë si “mani” që kohë pas kohe në këtë kënd të veçoj ndonjë shkelje të Ligjit të Gjuhëve, shpresoj lexuesit të mos krijojnë ndonjë aversion, por mendoj se e kemi obligim intelektual që ta themi publikisht. Me shpresë sa më shpesh që e përdorim, më shumë gjasa ka që ata që e zbatojnë ligjin të korrigjohen. Kësaj radhe ndodhi që në diplomat që iu ndanë fituesve të çmimit shtetëror siç është “11 Tetori”, njëri ndër ta shqiptar, të shkruhen vetëm maqedonisht. Ndër të parët reagoi kryetari i Këshillit për ndarjen e këtij çmimi, po ashtu shqiptar, i cili u gjet i habitur që nuk respektohet shqipja si njëra nga gjuhët zyrtare…Kohë më parë u konstatua edhe “mungesa” e shqipes gjatë manifestimeve për 2 Gushtin-Ditës së Ilindenit, edhe pse një vit më parë, kur në rolin kryesor kishte qenë kryeparalamentari Talat Xhaferi, ishte përfillur…
Ajo që duhet thënë edhe me këtë rast është se po vazhdon inercia e vjetër edhe dy vjet pas sjelljes së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin shqipja dukshëm e avancon pozicionin e vet në të gjitha nivelet, por edhe ata që e kanë votuar e që janë sot në pushtet, sikur ndonjëherë i mbyllin sytë para këtij fakti…Sa kohë do të duhet që të etablohet kultura e respektimit të ligjeve që i sjellim? Apo disa segmente të pushtetit veprojnë sikur të kenë të drejtën e diskrecionit që ta respektojnë sipas momentit, apo dhe disponimit të tyre!
Kur jemi te çështja e shqipes, ajo edhe pse dukshëm e avancuar, mbetet ende gjuhë e “20 përqindëshit”. Mirëpo, sipas paralajmërimeve, jo përgjithmonë. Sepse, kryeministri Zoran Zaev ditë më parë u tregua zemërgjerë me gatishmërinë e tij që në momentin e ardhshëm kur të hapet çështja e ndryshimeve kushtetuese, të hiqet kategoria e “20 përqindëshit” me një argument të fortë se kur mendohet për të, mendohet për shqiptarët dhe përse shqiptarët të mos përmenden me emër. Pra, një qëndrim i drejtë. Meqë kjo është një deklaratë politike e një politikani që është në pushtet dhe udhëheq një parti të madhe, dhe meqë deri tash ka dëshmuar guximin për të marrë vendime të vështira, ky paralajmërim i tij edhe mund të realizohet. Por për ndryshim kushtetute nevojiten dy të tretat e votave dhe këtu hyn në lojë edhe Mickovski, lider i VMRO-së, i cili të njëjtën gjë e ka thënë tashmë para më shumë se një viti. Gjithmonë ka qenë e vështirë të bëhet ndonjë ndryshim rrënjësor për shkak se partitë maqedonase përherë kanë kundërshtime midis tyre për çështjet madhore, por meqë këtu pajtohen, atëherë rruga është hapur në një ardhmëri të afërt kjo edhe të ndodhë…
Në rastin e ardhshëm do t’i kapim për fjale…
Kjo çështje që ka shumë paragjykime e frustrime brenda vetes, tejkalohet fare lehtë me një hedhje sysh Kushtetutës së vitit 1974, ku nuk ka pasur kategorizime përqindjesh. Atë “pjesë” statusore shqiptarët e humbën në Marrëveshjen e Ohrit, ku me gjasë kategoria e 20 përqindëshit qe futur për t’i kënaqur shqiptarët dhe për t’i eliminuar bashkësitë tjera nga beneficionet që i siguron ai status. Mirëpo, në anën tjetër, shqiptarët i bëri popull pa emër, edhe pse ndërkohë, sidomos me zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, ky hendikep mbeti vetëm në emër.
- PALESTINA NË KOHËN E MIQËSISË TITO-ARAFAT!
Sigurisht presidenti serb “likuvatë” kur duhet ta afirmojë mosnjohjen e Kosovës nga ana e autoriteteve të Palestinës. Në këtë gjendje ekzaltimi qe para pak ditësh kur ishte takuar me ministrin e Jashtëm të Palestinës, Riyadal-Maliki.
“Vuçiq e falënderoi Palestinën për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë dhe qëndrimin parimor mbi mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë dhe veçanërisht përmes kundërshtimit të anëtarësimit të ashtuquajturës Kosovë në organizatat ndërkombëtare. Ministri Al-Maliki ka konfirmuar se një qëndrim i tillë i autoritetit palestinez mbetet i fortë”, ka qenë qëndrimi i kabinetit të presidentit serb.
Normalisht, nuk ka pse të akuzohet Vuçiqi, ai është president serb dhe përderisa mundet, do të bëjë çmos të mos e njohë Kosovën. Por ç’ne këtu “autoriteti palestinez” kaq i zellshëm për të mbrojtur pozitat serbe? Çfarë interesi ka? Vështirë se të gjendet një logjikë e shëndoshë. E vetmja arsye e “logjikshme” që na kujtohet është se autoritetet e sotme palestineze kujtojnë se jetojnë në kohën e Titos dhe Arafatit, pra në kohën e ish-Jugosllavisë dhe se Serbia është trashëgimtare e saj dhe se Vuçiqi ndoshta vazhdues i politikës së Titos? Për autoritetet palestineze me gjasë nuk luan ndonjë rol historia më e re post-Tito, ku Serbia nisi luftërat e përgjakshme në Bosnje me krime lufte ndaj popullatës myslimane boshnjake (këtë e potencoj me qëllim, për të përshkruar absurdin e qëndrimit palestinez ndaj Kosovës), se po ajo Serbi nisi pastrimin etnik edhe ndaj popullatës myslimane shqiptare të Kosovës (palestinezët janë me shumicë myslimane, do të duhej një lloj solidarizimi me boshnjakët dhe shqiptarët, apo jo?!). Dhe si përfundim i kësaj, Serbia ishte rrënuesja e asaj Jugosllavie, që autoritetet ende e mendojnë se është gjallë me mikun e Arafatit, Titon, në krye!
Për më tepër, sado që të jenë nën rrethim, autoritetet palestineze duhet të jenë të njoftuara se një numër shtetesh myslimane e kanë njohur Kosovën dhe se të drejtën e vetëvendosjes, edhe për shkak të dhunës që është ushtruar nga Serbia, ia ka njohur edhe Gjykata e së Drejtës në Hagë, sikundër që palestinezëve shumë shtete të botës ua njohin poashtu të njëjtën të drejtë. Përjashto sentimentin arafatian ndaj Titos, por që të dytë tashmë të ndjerë, nuk mbetet asnjë arsye e shëndoshë për të refuzuar me aq këmbëngulje njohjen e Kosovës, pikërisht për shkak të ngjashmërive të fatit të Palestinës dhe Kosovës, duke mbyllur sytë përpara gjithçkaje që i ka paraprirë pavarësisë “së njëanshme” të Kosovës. Apo mos ndoshta autoritetet palestineze bëjnë ndonjë analogji tjetër?
- ALBINI, JO SI TË TJERËT…
“Albini nuk është si tjerët!” Këtë shpesh e thekson një ithtar i madh i jetës dhe veprës së tij, avokati Tom Gashi.
Por, gojëkëqijtë nuk pajtohen gjithaq me të, sidomos pas aksioneve të policisë speciale në Veri, së pari për tabelat e së fundmi edhe për kontrabanduesit. Ku e shohin këta se Albini vepron siç kanë vepruar shumë të tjerë para tij, jo vetëm në Kosovë? E shohin në faktin se këtë aksion policia e Kosovës ka mundur të bëjë në cilëndo ditë nga 365 sa ka viti, e jo disa ditë para zgjedhjeve lokale. Me fjalë të tjera, “ia kanë lexuar” letrën mbrapshtë, se me këtë aksion dëshironte të rriste rejtingun e kandidatëve që konsiderohen si inferiorë kundrejt atyre të opozitës, sidomos në Mitrovicën e ndarë… Nëse është kjo në pyetje, Tomë Gashi do të duhej ta korrigjonte veten, sepse edhe Albini merr diçka nga përvoja e të tjerëve… Kjo edhe nuk do të ishte aq problem sikur kjo lojë të mos luhej në një terren problematik, edhe pse nga ana tjetër, respektimi i ligjeve dhe luftimi i krimit duhet të vlejë për këdo që jeton në Kosovë…dhe 365 ditë të vitit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)