Parlamentit i është dorëzuar iniciativë për reduktimin ose ndërprerjen e plotë të privilegjeve të funksionarëve të zgjedhur dhe emëruar. Partitë politike, edhe pse vet i kanë miratuar ligjet që u sjellin privilegje, thonë se janë të gatshëm për ndryshime, ndërsa ekspertët thonë se kjo nuk është risi, pasi çdo garniturë e re mandatin e fillon me këtë iniciativë për të treguar se nuk janë si ata që ikën
Destan JONUZI
Shkup, 20 maj – Në Parlament është dorëzuar iniciativë për reduktimin ose ndërprerjen e plotë të përfitimeve dhe privilegjeve të funksionarëve të zgjedhur dhe emëruar. Në iniciativën e ngritur dhe dorëzuar në Parlament, nga Qendra për Liri “Civil”, theksohet se funksionarët duhet të heqin dorë nga makinat luksoze, udhëtimet e shtrenjta, shpenzimet e rrugës, orenditë luksoze, shpenzimet për tenderë, për procedurat e punësimit etj, shkruan gazeta KOHA.
Nga LSDM-ja e Zoran Zaevit kanë thënë në vijë të kësaj iniciative, kohë më parë, u ndryshuan ligjin për të ulur kompensimet e shpenzimeve të rrugës për deputetët. “Me atë që ne vetë shkurtuam shpenzimet e deputetëve në periudhën e kaluar, treguam vullnetin tonë si parti më e madhe në pushtet se jemi të gatshëm të pranojmë një iniciativë të këtillë për shkurtimin e privilegjeve të gjithë funksionarëve të zgjedhur me qëllimin e vetëm që paratë të mbeten aty ku duhet të jenë, në duart e qytetarëve”, ka deklaruar Jagoda Shahpaska, deputete e LSDM-së.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare kanë thënë se kjo çështje ka qenë edhe pjesë e fushatës së tyre në zgjedhjet e fundit presidenciale. “Mendoj se është në kornizat e asaj që do të ishte e pranueshme për uljen e përfitimeve të funksionarëve në Maqedoni. Nuk do të prezantoheshim dhe nuk do të pajtoheshim me një fushatë të tillë të kandidates për presidente nëse nuk do të ishte e pranueshme për VMRO-DPMNE-në”, ka deklaruar në takimin e fundit me gazetarët, Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, partitë politike shqiptare BDI, ASH, Lëvizja BESA dhe PDSH thonë se parimisht e mbështesin këtë iniciativë, duke u bazuar në premisën se të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë. Por, theksojnë se në momentin që kjo iniciativë do të jetë në Parlament në formë të propozim ndryshimeve ligjore, atëherë do të japin edhe më shumë detaje dhe do të japin edhe sugjerimet dhe kritikat e tyre. Profesori universitar, Mitasin Beqiri, thotë se çdo garniturë kur vjen në pushtet e nisë me këtë iniciativë mandatin e saj.
“Kjo iniciativë ekziston ka herë. Çdo garniturë kur vjen në pushtet niset me ketë iniciativë me pretekst se ata të tjerët kanë harxhuar shumë, e këta do të kursejnë. Këto të LSDM-së i kufizojnë privilegjet, ndërsa sipas bindjes sime funksionarët shqiptar nuk kanë privilegje. E shoh te disa që i njohë janë shumë të kufizuar. Në reprezentacione janë të obliguar me u arsyetuar se ku, kur dhe me cilin delegacion kanë qenë në drekë apo darkë. Por ka raste kur harxhimet janë marramendëse kur me disa dhjetëra mija euro harxhohet buxheti i ministrive brenda një viti kalendarik. Prandaj duhet të ketë kontroll të brendshëm dhe të funksionon revizioni”, deklaroi për gazetën KOHA, Mitasin Beqiri, njohës i rrethanave politike në vend. Ish-deputeti, Zudi Xhelili, vlerëson se kjo iniciativë ka prapavijën e saj dhe se tendenca është që të anulohen privilegjet e Presidentit të vendit, pasi t’i ketë mbaruar mandati.
“Kjo iniciativë e ka një tendencë, dhe aludohet te privilegjet e Presidentit, të presidentëve që janë pensionuar si Ivanov, Cërvenkovski. Nga ana tjetër për një kohë të gjatë në opinion flitet për shpenzime të tepruara të funksionarëve të caktuar, sidomos të atyre që menaxhojnë buxhet më të mëdha. Duhet të ketë transparencë sa i përket harxhimeve në punën e ministrave, kryetareve të komunave dhe të gjithë funksionarëve shtetëror për mënyrën se si harxhohen parat nga arka e shtetit”, deklaroi për gazetën KOHA, Zudi Xhelili, ish-deputet. Juristi, Qenan Aliu potencoi se privilegjet e parashikuara për funksionarët siç është presidenti i shtetit, kryeministri, deputetët, ministrat a funksionet tjera pas kryerjes së mandatit duhet reduktuar sipas standardit të jetesës.
“Privilegjet e funksionarëve shtetëror, për shembull, presidentit të shtetit pas skadimit të mandatit, janë kontestuese. Janë të parashikuara disa privilegje që nuk hasen në ligjet e shteteve fqinje. Shikoni se çfarë privilegjesh u përcaktuan me diktatin e Nikolla Gruevskit në ndryshimin e Ligjit mbi Qeverinë. Kryeministrit iu përshkruan privilegje marramendëse pas mandatit bile për aq vite sa ka ushtruar detyrën e kryeministrit, të ketë 6 truproje, apanazh, veturë zyrtare etj. Njëjtë duhet reduktuar edhe për deputetët dhe ministrat. Ne nuk kemi parlamente që kontrollon pushtetin ekzekutiv, por e kundërta ai ekzekutivi fatkeqësisht dikton punën e Parlamentit”, deklaroi për gazetën KOHA, Aliu.
Sa për ilustrim, ish-presidenti Gjorge Ivanov përfitoi pension të përjetshëm në vlerë prej 100 mijë denarë, zyra dhe 3 të punësuar. Kohë më parë, disa deputetë kanë qenë në qendër të kritikave për pranimin e shumave të larta të parave për shpenzime rruge. Deputetët dhe ministrat kanë edhe të drejtë apanazhi, gjegjësisht rrogë shtesë për një vit pas përfundimit të mandatit në rast se nuk kthehen në vendin e mëhershëm të punës. (koha.mk)