E premtja e fundit ka rezultuar të jetë e zezë për futbollin italian duke qenë se në takimin mes Kaljarit dhe Fiorentinës, një tifoz i skuadrës vendase ka ndërruar jetë në stadium duke mbështetur skuadrën e tij teksa po fitonte me shifrat 2-1 ndaj Fiorentinës. Tifozi 45-vjeçar i Kaljarit, nuk ka pasur më parë shqetësime shëndetësore ndërkohë që ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur dhe dyshimet e para e lidhin me një atak kardiak.
Megjithatë, mediat italiane raportojnë se asgjë nuk është ashtu siç duket duke qenë se në pamjet filmike dhe nga dëshmia e tifozëve që ndodheshin pranë është thënë se kanë dëgjuar një paralajmërim kundrejt tifozit. “Ti do të vdesësh” është fraza e cila dyshohet të jetë thënë nga tifozët e Fiorentinës dhe më pas ka ardhur vdekja në të vërtetë.
Kështu, autoritetet italiane kanë nisur një hetim në lidhje me vërtetësinë e këtyre dëshmive dhe ka sekuestruar kamerat e stadiumit si edhe pamjet filmike nga kamerat e televizioneve që po transmetonin ndeshjen. Nëse rezulton që vërtetë ka pasur trazira dh sjelle jo të hijshme nga tifozët violë që kanë çuar edhe në vdekjen e tifozit 45-vjeçar, atëherë klubi i Fiorentinës rrezikon një gjobë të majme dhe do të luajë të paktën 1 muaj me dyer të mbyllura.