Driton ZENKU
Gostivar, 13 mars – Problemet e ndryshme sociale e depresive që shpeshherë përfundojnë me situatë konfliktuoze brenda familjes, paraqesin shifra alarmante në qytetin e Gostivarit, shkruan gazeta KOHA. Për zgjidhjen e problemeve të tyre, qytetarët e Gostivarit që nga themelimi i këshillimores familjare në Gostivar nga viti 2012, e cila funksionon në kuadër të Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale, kanë kërkuar ndihmë mbi 150 familje. Prej numrit total të viktimave, numri më i madh i tyre janë gra. Autoritetet nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale, bëjnë me dije se pas fillimit me punë të këshillimores për gra dhe fëmijë viktima të dhunës familjare, por dhe për autorët e saj, janë shënuar ndryshime pozitive te sjellja e personave që kanë kërkuar ndihmën.
Nada Veliçkovska nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar, ka ftuar qytetarët që të mos i heshtin rastet e dhunës por t’i paraqesin, sepse kështu i ndihmojnë vetvetes nëse merren masa në kohë, para se të vijë në situatë tragjike. “Në Këshillimoren mund të vijnë persona me probleme në kurorë dhe familje, ndërprerje të marrëdhënieve të çiftit, adoleshent të neglizhuar dhe të lënë pa edukim, dhe kush do qoftë individ që ka nevojë të konsultohet dhe të marrë këshilla. Kemi disa raste ku kemi pasur probleme, dhe kanë qenë të gatshëm të paraqesin ankesa për divorc, por çifti është qetësuar. Shkëlqyeshëm ka shkuar procedura e qetësimit. Tani vijë ndonjëherë prapë te Këshillimorja dhe shumica e problemeve është tejkaluar”, shton ajo. Familjet aktuale që trajtohen në këtë këshillimore janë të kategorive të ndryshme. Pastaj, sipas Veliçkovskës, të gjitha kategoritë kanë kërkuar ndihmë në këtë këshillimore. “Arsyet më të mëdha, janë vartësia ekonomike, kushtet e vështira socio-ekonomike. Kemi edhe raste tjera sociale që vijnë si pasojë e alkoolizmit, narkomanisë, mosdurimi mes të rinjve, mosrespekti dhe mosdurimi i bashkëjetesës vitet e para, mos-adaptimi dhe të tjera”, thotë për KOHA, Nada Veliçkovska nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar.
Në vendin tonë ekziston një numër i madh rastesh të familjeve në të cilat ushtohet dhunë në një mënyrë ose tjetër, numri i raportimeve është në masë shumë të vogël. Ndërsa shqetëson fakti se tani janë fëmijët ata që paraqiten shpesh si ushtrues të dhunës ndaj prindërve. Ndërkohë që dhuna në familje në rajonin e Gostivarit është alarmante, konfirmohet edhe nga raportet e Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, e cila gati çdo ditë raporton për ndonjë rast të dhunës familjare. Qendra për Politikë Sociale në Gostivar si institucion gjegjës për t’u dalë në ndihmë viktimave, apelon te qytetarët që gjatë rasteve të tilla ta paraqesin rastin në Polici apo në Qendrën Sociale në Gostivar, që të mund t’ju dilet në ndihmë viktimave dhe të këshillohen që të parandalohet ky fenomen.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.