Gjatë administratës së presidentit Tramp, në Kosovë jo vetëm që lindi ajo që askush nuk e mendonte, por dhe ka ardhur duke u shtuar një lloj antiamerikanizmi, gjithnjë e më i zëshëm. Natyrisht, ata që duan t’i mëshojnë administratës së Trampit kanë zgjedhur “t’i bien samarit” dhe për marrëveshjet “në dëm të Kosovës”, kanë zgjedhur të fajësojnë Grenellin ose Hotin
Nga Daut DAUTI
1. Për kryetarin amerikan, DonaldTramp çka nuk është shkruar. Mund të thuhet se ai është ndër kryetarët më jokonvencionalë që mbahet mend, i cili, duke ardhur nga biznesi e shoubizi, këto dy veprimtari i futi në bontonin e paraqitjeve publike, shpesh duke krijuar huti. Ndër gjërat e fundit për të cilën u përfol, ishte gafa e tij se me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit, ka arritur të pengojë gjakderdhjen midis Serbisë dhe Kosovës. Një marrëveshje e tillë që ndërpreu gjakderdhjen, bie fjala, qe nënshkruar në vitin 1999, kur zaten pati një të tillë, por e nënshkruan gjeneralët e NATO-s dhe ata të Serbisë. Ç’deshi të thotë kryetari amerikan me këtë, a mos ka pasur informacione shërbimesh për diçka që eventualisht është përgatitur në prapaskenë dhe njerëzit këtë nuk e kanë ditur, apo një “fluturim” fjale në kontekst të gabuar…Sidoqë të jetë, ai të vetën e bëri, nuk pengoi gjakderdhje, por krijoi një mundësi bashkëpunimi më të madh ndërmjet dy vendeve në fushën e ekonomisë dhe ndikoi nënjë njohje tepër atraktive nga një shtet me ndikim të madh, në momentin kur Serbia po zotohej se do të ndalte fushatën e çnjohjeve.
Por ka një çështje tjetër interesante kur jemi te jokonvencionaliteti i Trampit. Ai jo vetëm që theu shumë tabu në komunikim publik, duke mos u sjellë aq me protokoll si një zyrtar i ngurtë sitë tjerët para tij, duke lënë përshtypje se ai politikën e kupton si një realiti-shou, shpesh duke dhënë deklarata që vetë administratën e tij e nxjerrin prej takti, kurse bëri dhe shumë lëvizje politike në raport me aleatët perëndimorë, dhe kuptohet, edhe shumë fushata gjer në opsesion për gjëra si 5G… Çështja më interesante te ky jokonvencionalitet është se duke thyer klishe e tabu, një tabu po thyhet edhe në Kosovë, sepse pikërisht gjatë administratës së presidentit Tramp, në Kosovë jo vetëm u ngjall, por dhe ka ardhur duke u shtuar një lloj antiamerikanizmi, gjithnjë e më i zëshëm. Natyrisht, ata që duan t’i mëshojnë administratës së Trampit kanë zgjedhur “t’i bien samarit” në vend se drejt “gomarit” dhe për marrëveshjet “në dëm të Kosovës”, kanë zgjedhur të fajësojnë Grenellin, sikur ai, si një ndërmjetës, ka forcën të bëjë diç që shefi i tij nuk e di ose nuk do. Aq shumë bënë fushatë kundër tij, sa në një rast kur ambasadori Grenell kishte dhënë dorëheqje nga një prej detyrave zyrtare, disa media u ngutën t’i japin “shqelmin” e Trampit, edhe pse kjo nuk kishte ndodhur. Edhe Grenelli i cili si fajter që është, u kujdes që të vazhdohet ky komunikim me shumë thumba e gjemba, me ç’rast kritikët kosovarë ia adresonin atij gjërat që nuk mund t’i thoshin drejt në adresë të Trampit.
Është e çuditshme se si ndërkohë u shtuan “çeta e profetëve” që iu zënë behane shumë pikave të marrëveshjeve, saqë kakofonia nuk ka fund. Dhe nuk janë më në këtë vijë vetëm LVV-ja dhe përkrahës të saj, por edhe PDK-ja, e cila përmes gojës së deputetes GanimeteMusliu na e bëri të ditur se Amerika është me ne, por Avdulla Hoti s’paska qenë i përgatitur dhe i vetëdijshëm se çka po nënshkruan. Duke heshtur se atë që nënshkroi Hoti, ishte përgatitur dhe administrata amerikane dhe nënshkruar poashtu edhe nga presidenti amerikan. Edhe pse gojën plot Amerikë, që nga presidenti i tyre historik, Thaçi, e deri te aktivisti i tyre i fundit, PDK-ja u rreshtua me VV-në, duke akuzuar Hotin dhe duke e kërcënuar qeverinë e tij me mocionin e VV-së. Dhe për ta përmbyllë gjithë atë që po ndodh në Kosovë me hutitë që ekzistojnë atje, është lajmi që liqeni i Ujmanit do të quheshka Liqeni Tramp. Grenelli e paska propozuar, kurse Serbia e Kosova qenkan pajtuar. Edhe një klishe e thyer: përderisa kryetarëve e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë në Kosovë u ngriten përmendore, emërohen sheshe apo rrugë, presidenti Tramp “bëhet” liqe!
2. Duhet të emërohet në mjekësi sindromii harresës kronike të politikanëve. E keni parasysh, kur një politikan harron se ç’ka bërë më parë, ose më saktë, kur akuzon oponentët për gjërat që vetë i kanë bërë më parë si diçka krejt normale!
Me rastin e shtyrjes së gjykimit rreth padisë së ZoranZaevit ndaj në nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, AleksandarNikollovski, ky i fundit paska deklaruar se padia është absurde, pasi sipas tij, deri tani nuk ka shembull ku një kryeministër dhe lider i partisë qeveritare padit një nënkryetar të partisë opozitare.
Kush e thotë këtë? E thotë një udhëheqës partiak i VMRO-së, duke harruar se shembulli më i mirë për këtë (kur thotë se nuk ka shembull të tillë), e gjen te ish kryeministri dhe lideri i VMRO-së, NikollaGrevski, i cili pikërisht ndaj liderit opozitar, Zoran Zaevit, kishte ngritur padi për shpifje, edhe atë me arsyetimin ironik se i ka shkaktuar atij “dhimbje shpirtërore”. Ai duhet të mos e ketë harruar, jo vetëm se një kryetar qeverie ka ngritur padi ndaj një opozitari, por më interesantja është se për çka. Për shkak se lideri i atëhershëm opozitarë, ka thënë se Gruevski ka qenë i gatshëm që në Samitin e NATO-s në Bukuresht, kishte shkuar i përgatitur për të pranuar kompromisin me Greqinë, për emrin e ri të shtetit: Republika e Maqedonisë(Shkupi). Krejt opinioni e dinte se delegacioni i Maqedonisë pat shkuar me këtë qëllim, por siç dihet, Greqia nuk ishte pajtuar me këtë variant as me insistimin e Xhorxh Bushit, dhe dështoi. Por, kjo nuk është gjithë e vërteta e rastit, sepse përshtypja e publikut mund të kishte qenë e gabuar se qeveria “patriotike” do ta “tradhtojë” shtetin, por Zaevi atë kohë në gjyq pat deklaruar se deklaratën e tij e ka bazuar jo nga thashethemet po nga stenogramet e Komisionit tëPunëve të Jashtme, ku kishte referuar ministri i jashtëm, AntonioMilloshovski dhe pikërisht ai kishte treguar se vërtet qeveria e Maqedonisë ka qenë e gatshme për kompromis.
Por, për gjyqin kjo nuk kishte qenë argument i mjaftueshëm se Zaevi nuk ka shpifur, ndaj dhe për “dhimbjen shpirtërore” të Gruevskit, i caktoi gjobë prej “vetëm” 50 mijë eurosh, sepse Gruevski në fund ishte treguar “i mëshirshëm”, duke hequr dorë nga gjysmë milioni sa ua kishte vënë paraprakisht çmimin këtyre dhimbjeve të tij! Edhe më dorëlirë qe treguar për dhimbjet shpirtërore që ia kishte shkaktuar me shpifje TitoPetkovski, vetëm 10 mijë euro…Kjo është historia që harron ta përmendë nënkryetari aktual i VMRO-së, se pikërisht kryetari i tij i dikurshëm e ka nisë këtë praktikë pikërisht në cilësinë e krytarittë qeverisë dhe i partisë në pushtet, të padisë për shpifje liderë opozitarë. Atëherë duket se nuk i ka bërë përshtypje Nikollovskit kur Gruevski sa nuk përfundoi në Bardovcë nga “tepria” e “dhimbjeve shpirtërore”, por që ia zbutën mijëra eurot e liderëve opozitarë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)