Rrezikoi që të mbetej e paralizuar, pasi theu qafën për shkak të një teshtime të papritur në mars të vitit 2015, por kur mendoi se kaloi gjithçka, mbeti sërish viktimë e të njëjtit aksident pesë vite më vonë, teksa po qeshte me episodin e parë.
Është kjo historia e pabesueshme e një gruaje australiane nga Melburn, Monique Jeffrey 36 vjeçe, e cila për fatin e saj të keq e gjeti veten në spital, pesë vite pas episodit të parë.
“Po qeshja me disa kolegë, pasi po bëja batuta se si kisha thyer qafën teksa teshtija, ndërkohë që duke qeshur ktheva kokën pas dhe ndodhi sërish”, tregoi Monique për mediat vendase.
Ajo shtoi se rasti i dytë i cili ndodhi në muajin prill të këtij viti, nuk ishte aq i dëmshëm sa i pari, pasi asokohe dëmtoi dy vertebra, duke pësuar dhimbje aq të forta sa që nuk arrinte të kërkonte as ndihmë.
Ajo duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në vertebra, bë mënyrë që të mos thyhen sërish.