Paul Ceglia është njeriu i cili pretendon se zotëron gjysmën e Facebookut. Ceglia është në arrati që disa vite, pas akuzave federale se ai ishte përpjekur ta gënjejë Facebookun. Tani ai është rishfaqur për të treguar pse është arratisur: dikush e dëshiron atë të vdekur, thotë ai. Kjo histori e çuditshme filloi gjashtë vite më parë kur Ceglia ngriti një padi në Nju Jork e cila thoshte se ai kishte paguar themeluesin e Facebook, Mark Zuckerberg, që të ndërtonte një uebfaqe të ngjashme me atë çfarë më pas u bë Facebook, transmeton Gazeta Express. Padia thotë se ata ishin pajtuar që ta ndajnë kompaninë 50-50. Ceglia pretendonte se kishte një kontratë biznesi me Zuckerberg. Por hetimet e qeverisë më pas përcaktuan se në kontratë nuk përmendej Facebook. Ceglia u arrestua më 2012 me akuzën se kishte tentuar të vjedhë nga Facebook dhe Zuckerberg, duke përdorur dëshmi të rreme, të falsifikuara dhe të fabrikuara për të mbështetur pohimet e tij të rreme. Më 2015, dy muaj para se të dilte në gjyq, Ceglia këputi prangat dhe u zhduk – së bashku me gruan dhe fëmijët e tij. Edhe pse në arrati, Ceglia shpreson të ringjallë çështjen e vjetër kundër Zuckerberg dhe Facebook.