Interi tani e tutje do të jetë 100% kinez. Bisedimet kishin nisur prej një viti, por tashmë ka ardhur momenti që të mbyllet gjithçka dhe Erick Thohir do të dalë nga skena.
Pas 5 vitesh në drejtim, duke i blerë 70% të kuotave ish-presidentit Massimo Moratti, Thohir ndahet me klubin zikaltër dhe nuk është se do të mbahet mend për ndonjë gjë të madhe. Në qershor 2016 i shiti 68,55% të aksioneve grupit kinez Suning, ndërsa pas pak ditësh do të vijë zyrtarizimi i shitjes së pjesës së mbetur të aksioneve.
Një negocim i gjatë, i ndërlikuar, sidomos për shkak të pagesës së Thohir për të përfituar sa më shumë financiarisht. Sipas Corriere della Sera, indoneziani do të arkëtojë thuajse 200 milionë euro, duke regjistruar një vlerë plus prej 157 milionësh. Gjithçka e kryer, tashmë pritet të vuloset me firmat e protagonistëve deri në fund të muajit, kur do të mbahet edhe asambleja e aksionerëve.
Në asamble do të rinovohet edhe këshilli i administratës dhe do të emërohet president Steven Zhang.