Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 gusht – Ministria e administratës dhe shoqërisë informatike ka filluar procedurën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për nëpunësit administrativ, që ka për qëllim seleksionim më të thjeshtë, avancimin dhe vlerësimin e administratës, shkruan gazeta KOHA. Sipas zgjidhjeve të propozuara, do të anulohet testi për kapacitetin intelektual dhe të personalitetit, që realizohet gjatë punësimit në administratë, si dhe certifikatat ndërkombëtare për njohjen e gjuhës së huaj, që duhet të dorëzohen gjatë punësimit apo avancimit. Gjithashtu, në vend vetëm një nivel si deri tani në shpalljet interne në administratën publike, do të mund të fitohet avancimi për disa nivele më të larta. Këto janë vetëm një pjesë e ndryshimeve të Ligjit për nëpunësit administrativ.
Nga Ministria e Administratës dhe Shoqërisë informatike thonë se , korniza ligjore për përgatitjen e këtij propozim ligji është deri më tetë shtator, ndërsa plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për nëpunës administrative kanë për qëllim përmirësimin dhe thjeshtësimin e procedurave për seleksionim, avancim dhe vlerësim të nëpunësve në administratë me çka do të rritet numri i kandidatëve kompetent për punësim, si dhe do të ndihmohet që të qëndrojnë në administratën publike të punësuarit cilësor dhe të motivuar për punë.
“Pjesa e provimit për kapacitetin intelektual dhe testin e personalitetit, të përmbajtura në ligjin aktual vetëm e vështirësojnë procedurën për seleksionimin e kandidatëve për punësim. Njëherazi dukshëm nuk kontribuojnë në punësimin sipas meritave. Nuk janë të arsyeshme as kërkesat për certifikata të njohura ndërkombëtarisht për një nga gjuhët botërore, që paraqet edhe ngarkesë financiare për kandidatët. Me ndryshimet e propozuara, harxhimet për njohjen e anglishtes, gjermanishtes apo frëngjishtes do të jenë në ngarkesë të shtetit, ndërsa testi për njohjen e gjuhës së huaj do të jetë pjesë përbërëse e provimit për nëpunësit administrativ. Lidhur me procedurën për avancim, zgjidhja e tanishme rigide në bazë të së cilës nëpunësi administrativ në shpallje interne mund të avancohet vetëm për një pozitë më të lartë pamundëson zhvillimin e karrierës së nëpunësve administrative që një kohë të gjatë punojnë në nivele më të ulëta”, thonë nga Ministria e Administratës dhe Shoqërisë informatike. Në ndërkohë, ndër sfidat e reformimit të administratës në të ardhmen janë edhe zgjidhja e problemeve të mbi-punësimit në disa vende, si dhe mungesës së kuadrit profesional si ai teknologjisë informatike në vende të tjera. Pritet edhe avancimi i modelit të vlerësimit të nëpunësve dhe anulimi i masave për efekt të dobët.
Në kuadër të reformës në administratë dhe riorganizimit të saj, një nga masat që do të ndërmerren është edhe orari fleksibil për punën në administratë, me qëllim që shërbimet ndaj qytetarëve të jenë në nivel. Prej një shtatorit , fillimi i orarit të punës do të jetë midis orës 7:30 dhe 8:30, kurse përfundimi midis orës 15:30 dhe 16:30, me gjithsej 8 orë pune në ditë. Ashtu siç ishte paralajmëruar me programin e Qeverisë, me vendim rregullohet edhe puna me dy-ndërrime në institucione të caktuara siç janë: Drejtoria për të Ardhura Publike, Drejtoria e Doganave, Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë, Ministria e Punëve të Brendshme-seksionet rajonale në sektorin për drejtim, mbikëqyrje dhe punë, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes-në sektorin për mbrojtje të rajonit me qytetet dhe komunat në përbërje orari i punës të cilave do të vendoset prej në 7 deri në 14:30 dhe prej në 14:00 deri në ora 21:30. Gjithashtu e shtuna e parë e muajit do të jetë ditë pune me orar të punës nga ora 8 deri në ora 16:00. Ndryshe, Ministria e Administratës ka paralajmëruar analizë funksionale që do të ofrojë pasqyrë reale për mënyrën e funksionimit të sektorit publik. Pas rezultateve të fituara pritet që një pjesë të punësuarve nga administrata ti ofrohen biznesit. Firmat nën kushte të caktuara do të kenë mundësi të pranojnë një pjesë të punësuarve për çka do të fitojnë edhe ndihmë shtetërore. Në këtë mënyrë pritet që të ulet numri i të punësuarve më administratën publike si dhe të shkurtohet numri i mjeteve që nga buxheti ndahet për administratën. Analiza më tej duhet të tregojë se sa do të jetë edhe kostoja për buxhetin e shtetit si dhe mënyrën se si do të përkrahet transferi i të punësuarve. Qëllimi nuk është që dikush të mbetet pa punë , por që të rritet efikasiteti i administratës publike si dhe të ndihmohet zhvillimi i sektorit të biznesit. Komuniteti i biznesit vlerëson se ideja e qeverisë që të sigurojë rroga më të larta, për ato që do të kalojnë të punojnë nga administrata publike në sektorin privat në praktikë mund të realizohet , por vetëm në bazë të nevojave reale të biznesit për profile të caktuara të punëtorëve dhe pa imponime . Afaristët thonë se një pjesë e administratës si të rinjtë që do të ndihmohen të hapin biznese të reja, apo profilet e caktuara që ju mungojnë kompanive private dhe që punojnë në punë të shtetit , edhe mund të ndryshojnë vendin e punës. Në ndërkohë, shteti pritet të ndihmojë edhe financiarisht firmat që do të punësojnë persona nga sektori publik, me qëllim që të sigurohet administratë efikase që do t’i përgjigjet nevojave të ekonomisë dhe qytetarëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.