Nëse në një Britani të lashtë e të organizuar mbretëresha nuk ka komplekse të duket si një plakë e thjeshtë fshati, kush jemi ne që kompleksin për tu dukur patjetër bukur e mveshim me një mision të paqenë.
Nga Emin AZEMI
Thjeshtësia e jo glamuroziteti është thelbi i njerëzores. Ka plot njerëz që dinë ta paketojnë brendinë e tyre me ambalazhe të huazuara nga storjet e ndryshme filmike, por kjo asgjë nuk ndryshon në karakterin e tyre.
Mjeshtrit e paraqitjeve publike shpesh u sugjerojnë shefave të tyre të duken sa më mirë në sytë e njerëzve. Prirja për t’u dukur mirë ka diçka të mistert, aq më tepër kur kjo ndërlidhet me njerëzit publik dhe sidomos me politikanët, të cilët komunikimin me masat e bëjnë në bashkëshoqërim me imazhin dhe me bindjet e atypëratyshme.
Por, në vendet që i kanë tejkaluar etapat e zhvillimit demokratik, politikanët sillen jo gjithmonë si e kërkon publiku, por edhe si duan ata vet. Siç raportonin mediat britanike kohë më parë,nNjë grup turistësh amerikanë e kishin takuar rastësisht mbretëreshën britanike derisa ajo shëtiste në rezidencën e saj skoceze Balmoral dhe nuk e kishin njohur atë. Grupi amerikan filloi të bisedonte me 93-vjeçaren, e cila mbante në kokë një shami dhe e pyeti nëse jetonte aty afër. Sipas njërit prej ish-oficerëve të saj mbrojtjes, grupi nuk e kishte idenë se më kë po flisnin dhe madje e pyetën nëse e kishin takuar ndonjëherë mbretëreshën. Njëri nga përgjegjësit për sigurinë e mbretëreshës për më shumë se 30 vjet i kishte thënë “The Times” se monarkja me shaka u përgjigj duke thënë: “Jo, por ky polici e ka parë,”.
Mediat britanike njoftojnë se mbretëreshës i pëlqen të jetojë si një njeri i thjeshtë kur ndodhet në rezidencën e saj Balmoral, të cilën viziton çdo verë, aty ku ndodhet prona 50.000 hektarëshe e familjes mbretërore që nga viti 1852.
Distanca që na ndanë nga Britania e Madhe, nuk është vetëm gjeografike, por edhe civilizuese. Mbi të gjitha është distancë mendësie që krijon kontrapunkte civilizuese.
Një politikan i yni mundohet edhe në një aksion të thjeshtë ekologjik të mbaj kollare dhe sako në temperaturë mbi 30 gradë. Raporti psikologjik që vendos ky politikan me masat projektohet si gjendje shpirtërore e cila patjetër duhet të prodhojë superioritet të shpifur. Me vet gjestin që bën politikani, teksa merr pjesë në një aksion urban, ai e ka tejkaluar nevojën meskine për tu dukur superior por edhe i bukur me kostume e kollare. Sepse bukuria në raste të tilla është e brendshme, sidomos kur një politikan bëhet bashkë me qytetarët në pastrimin e ambientit jetësor.
Brendësia që lidhet me karakterin e njeriut, dhe jashtësia që lidhet me kostumet e tij, qëndrojnë varur në një litar të cilin e lëvizin zakonisht ata që kujdesen për dukjen jashtme të politikanëve. Këtu edhe ndodhë gabimi sepse më tepër favorizohet imazhi, i cili në të shumtën e rasteve eklipson brendinë, ose veprimin konkret që ka karakter publik e shoqëror dhe për rrjedhojë ata që ndjekin lajme nuk arrijnë të kuptojnë mesazhin që përcjell ai veprim.
Nëse në një Britani të lashtë e të organizuar mbretëresha nuk ka komplekse të duket si një plakë e thjeshtë fshati, kush jemi ne që kompleksin për tu dukur patjetër bukur e veshim me një mision të paqenë. (koha.mk)