Organizatat joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thonë se pavarësisht paralajmërimeve se keqpërdorimi i fëmijëve i shkel të drejtat e fëmijëve dhe ligjin, përsëri partitë politike dhe kryesisht ata kryesore vazhdojnë të përdorin dhe abuzojnë me fëmijët në reklama, fushata zgjedhore, tubime dhe në propagandën e tyre
Zenel MIFTARI
Shkup, 24 shtator – Nuk është e vështir të vërehet prezenca e fëmijëve në fushata zgjedhore të partive politike në vendin tonë. Kjo dukuri përsëritet vazhdimisht në çdo cikël zgjedhor. Fëmijët keqpërdoren nga partitë politike dhe zakonisht përdoren për shpërndarjen e fletushkave, ngjitjen e banderolave, valëvitjen e flamurëve dhe rregullimin e ambientit për mbajtjen e mitingut. Organizatat joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thonë se pavarësisht paralajmërimeve se keqpërdorimi i fëmijëve i shkel të drejtat e fëmijëve dhe ligjin, përsëri partitë politike dhe kryesisht ata kryesore vazhdojnë të përdorin dhe abuzojnë me fëmijët në reklama, fushata zgjedhore, tubime dhe në propagandën e tyre.
Ardit Ramadani, nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, për gazetën KOHA, ka thënë pas çdo cikël zgjedhor aktivistë të të drejtave të njeriut evidentojnë raste të shkeljes së Kodit Zgjedhor me keqpërdorimin e fëmijëve gjatë fushatave parazgjedhore. Sipas tij, këto evidentime lënë të kuptojnë se në këtë pikë politikanët tanë veprojnë me vetëdije të plotë se po bëjnë diçka të kundërligjshme dhe kundër çdo parimi etik dhe moral. “Kjo është e pafalshme dhe tregon atë se çfarë gjithsej janë në gjendje të bëjnë politikanët tanë vetëm për të prekur pushtetin. Është shumë e rëndësishme që mediat, organizatat joqeveritare si dhe gjithë të tjerët të evidentojnë rastet e tilla dhe denoncohen tek faktori ndërkombëtar si dhe komiteti për të drejtat e fëmijëve”, shprehet Ramadani. Sipas tij, një shtet i cili shpesh herë shkel të drejtat e personave me aftësi në veprim, nuk mund të presim që të respektojë të drejtat e atyre që janë më vullnerabël dhe mbase të pavetëdijshëm se çfarë po ndodhë. “Kjo është e tmerrshme dhe duhet denoncuar çdo rast i tillë”, nënvizon ai.
Nga ana tjetër, Luka Paviçeviç, kryetar i Unionit të Nxënëseve të Shkollave të Mesme (UNSHM), për gazetën KOHA, ka deklaruar se tani më 30 vite me radhë është bërë praktikë që partitë politike të keqpërdorin fëmijët gjatë fushatave zgjedhore. “Derisa ndjekim Konventën për të drejtat e fëmijëve, çdo përdorim i të miturve për qëllime politike, siç është fushata, propaganda dhe veprimet tjera është abuzim me ata. Ne si UNSHM, u bëjmë thirrje partive politike të mos abuzojnë me fëmijët për politika ditore. Derisa apelojmë te Avokati i Popullit, ta monitoroj nga afër situatën dhe ta sanksionoj çdo abuzim”, ka deklaruar Paviçeviç.
Gjithashtu për rastet e keqpërdorimeve të fëmijëve ka reaguar edhe Ambasada për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve “Megjashi”. Nga atje thonë se keqpërdorimet e fëmijëve në fushatën parazgjedhore për fat të keq është duke vazhduar edhe këtë vit. “Pas thirrjes sonë publike dhe kritikave që i kemi adresuar ndaj strukturave politike, deri te ne kanë ardhur denoncime nga prindërit dhe aktivistë të të drejtave të njeriut duke raportuar keqpërdorime të fëmijëve në fushatën parazgjedhore. Politikanët duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre”, thonë nga “Megjashi”. Ata theksojnë se partitë dhe figurat politike janë duke vazhduar të përdorin fëmijët në forma të ndryshme për pikë politike, ndërsa rekomandojnë që dhuratat për fëmijët të mos jepen para kamerave. “Megjashi”, përkujtoi që keqpërdorimi i fëmijëve për interesa politike dhe fetare është e dënueshme në bazë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, neni 12, paragrafi 4. “Fëmijët nuk janë objekt për dekorimin e figurave dhe partive politike. Ne kërkojmë nga komunat, shkollat dhe prindërit të mos e lejojnë keqpërdorimin e fëmijëve”, nënvizojnë nga “Megjashi”. Nga atje kujtojnë edhe rastin e Visar Ganiut, kryetarit të komunës së Çairit, i cili do të rikandidojë në këto zgjedhje dhe rastin e Sashko Mitovskit, kandidat për kryetar në Kriva Pallankë. Pavarësisht këtyre thirrjeve, partitë politike, por edhe vet prindërit vazhdojnë në çdo cikël zgjedhor t’i ekspozojnë fëmijët në tubime të ndryshme elektorale. (koha.mk)