Thirrja për një shtet që përkujdeset për të gjitha

138

Kriza Corona do të ketë pasoja masive: jo vetëm në sfondin e numrit të viktimave apo humbjes së pashmangshme ekonomike. Edhe raporti ynë me shtetin do të ndryshojë

Nga Miodrag SORIC

Sado vrastare, sado katastrofale, sado ekstreme që është edhe kriza e shkaktuar prej virusit Corona – e madje ajo mund të ashpërsohet edhe më shumë: një ditë ajo do të kalojë. Por bota pas saj do të jetë ndryshe. Frikërat, vuajtja, që ka përhapur virusi, do të jehojnë gjatë në shpirtërat e njerëzve. Shumë qytetarë në Perëndimin me mirëqenie – shumë më fort se deri tani – do të kërkojnë një shtet të fortë; një shtet që t’i mbrojë ata më shumë se deri më sot. Sepse vetëm shteti mundet, nëse është në gjendje, të luftojë rreziqe të tilla si një pandemi.

Këto janë lajme të këqija për sipërmarrjet; Më shumë shtet do të thotë më shumë taksa, më shumë burokraci dhe rregulla, procese të gjata vendimmarrjeje dhe më pak para në xhepat e konsumatorëve. E kësisoj më pak konsum e rritje ekonomike. Megjithatë nëse është ky çmimi, në mënyrë që kriza si kjo të mos përsëriten, atëherë shumica në Gjermani e në Europë do ta pranojnë një zhvillim të tillë, madje do ta mirëpresin.

Shteti kërkon bashkëvendosje

Shteti duhet t’i zgjidhë problemet: mundësisht të shpëtojë të gjitha sipërmarrjet dhe vendet e punës. Ai duhet të sigurojë me zemërgjerësi garanci, të kujdeset për uljen e taksave, të bëhet bashkëaksioner në sipërmarrjet e mëdha të rrezikuara financiarisht. E pikërisht kështu kanë nisur të veprojnë qysh tani qeveritë e shteteve në BE, Britani të Madhe, SHBA apo Kanada. Çdo ditë e më shumë që kriza vazhdon, humbet besimi në treg dhe rritet dëshira për një shtet që rregullon gjithçka dhe të mbron.

Një mësim do ta nxjerrë shteti nga kriza: të bashkëvendosë më fort se deri tani p.sh. se ku do të prodhohen dhe konfeksionohen medikamentet. Eshtë madje jo vetëm e rëndësishme, se ku ato mund të prodhohen më lirë si p.sh. në Kinë apo në Indi. Por vendimtare është, që të mund të sigurohet, se rezervat e medikamenteve në rast krize janë të mjaftueshme. Paçka se kjo do të thotë, që do të rritet çmimi për preparate të rëndësishme, nëse ato sërish do të prodhohen më shumë në Perëndim dhe jo më në vendet me paga të ulëta. Qytetarët do ta pranojnë këtë. Më shumë siguri nuk mund të arrihet pa kosto.

Kjo vlen për medikamentet, por edhe për produkte dhe shërbime të tjera. Të gjitha, që janë të rëndësishme për mbarëvajtjen sociale dhe ekonomike të një shteti, nuk duhen zhvendosur më jashtë vendit. Ekspertët e quajnë këtë „infrastrukturë kritike”. Se çfarë bën pjesë këtu e çfarë jo, kjo për një kohë të gjatë nuk ka qenë e qartë në Gjermani. Në të ardhmen në rast pasigurie prodhimi do të bëhet në vend.

Por shteti mund të jetë edhe problemi në vend të zgjidhjes

Megjithatë thirrja për më shumë shtet që kujdeset për gjithçka mund të krijojë më shumë probleme se sa t’i zgjidhë ato. Le të sjellim në vëmendje: Pandemia Corona e pati zanafillën në një shtet totalitar, që kontrollon gjithçka. Një shtet, që hiqet se mbron qytetarët e vet – e megjithatë nuk ishte në gjendje ta shmangte atë. Një shtet, i cili nuk ka mësuar asgjë prej një epidemie të ngjashme në të kaluarën. Politikanëve, vendimmarrësit në një shtet totalitar si Kina, nuk u duhet të përgjigjen para qytetarëve të tyre. Le ta themi fare pa arrogancë dhe prepotencë dështimin e Pekinit. Por se si do t’i bëjnë ballë krizës BE-ja dhe SHBA-ja ndërkohë është ende një pikëpyetje e madhe. Më shumë shtet nuk do të thotë automatikisht më shumë mbrojtje e qytetarëve. Në një demokraci të mirëfilltë është qytetari kritik që thotë fjalën e tij, ai që duhet të marrë përgjegjësi bashkë me shtetin për të përballuar një krizë si kjo e tanishmja. (DW)

Comments are closed.