Urim HASIPI
Tetovë, 27 dhjetor – Ai është 66 vjeçar, as në pension e as në punë. Merret vetëm me bujqësi, por dy muajt e fundit jeta i ka sjellur shumë telashe. Ky është Neset Memeti nga fshati Trebosh i rrethinës së Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Sipas rrëfimit të tij, djali i tij 16-vjeçar, Mensur Memeti, pikërisht në muajin tetor kishte pësuar një aksident të rëndë në Tetovë. Prej atë ditë e deri më tani, fati i djalit të tij nuk dihet për shkak se është në gjendje të rëndë në klinikën e Shkupit. “Pikërisht para dy muajve, djali ka patur aksident këtu në Tetovë, ka qenë bashkë me një shok dhe ka pësuar lëndime të rënda. Prej spitalit të Tetovës është dërguar në Klinikat e Shkupit dhe atje është në gjendje kome. Gati se dy javë udhëtime, harxhime e kështu me radhë, aq kam mundësi sepse nuk jam në punë, nuk kam ndihmë sociale dhe as marr pension”, thotë Neset Memeti, mbi të cilin ka rënë e tërë barra për të përballuar këtë situatë të rëndë në familjen e tij katërantarëshe. Ai u është drejtuar të gjithë qytetarëve që kanë mundësi ta ndihmojnë. “Unë jam ngushtë tash, sepse jam bujk, tash dimër nuk kam çka të punoj.
Më duhet përkrahje nga qytetarët për të përballuar këtë situatë të rëndë sepse shëndeti i djalit është mbi të gjitha. E di që është kohë krize për të gjithë, por edhe unë e kam rëndë, sepse nuk e di se si do të jetë fati i djalit, i cili ishte nxënës në shkollë të mesme dhe pas aksidentit – është në Shkup tash e dy muaj dhe si do të rrjedhë situata më tej, nuk e di”, tregon për KOHA Neseti nga fshati Trebosh. Sikur të mos mjaftonte kjo tragjedi, gjendja është bërë ende me rëndë sepse kjo familje mbijeton me 2300 denarë në muaj ndihmë që marrin nga shteti, kurse vet Nesetit i është ndalur ndihma, sepse ka mbushur vitet për pension, por pension nuk merr. “Katër anëtarë jemi, unë bashkëshortja dhe dy djemtë. Muajin e nxjerrim me 2300 denarë, të cilët nuk mjaftojnë për asgjë, as për rrymë, as për bukë as për sende tjera kurse nevojat për shërim të djalit janë të mëdha, sepse duhet që të udhëtojmë deri në Shkup, shërimi kushton. Ato pak para që i kam kursyer – i kam harxhuar të gjitha në këtë kohë duke vrapuar për djalin dhe tash e tutje jam në duart e atyre që mund të më ndihmojnë”, thotë 66-vjeçari nga Treboshi. Sipas tij, deri më tash ka mbijetuar me ndihmën e shokëve dhe miqve, apo familjarëve të cilët e kanë ndihmuar që të del në krye me këtë situatë. Të gjithë qytetarët që kanë mundësi dhe janë të interesuar të ndihmojnë Neset Memetin, i cili ka nevojë për të kuruar djalin e tij, mund të paraqiten në numrin e telefonit 077 757 240. (koha.mk)