Thirrja e gazetarit për 30 fëmijët shqiptarë nën kaosin e luf*tës në Siri

Gazetari shqiptar Taulant Kopliku, i cili ka bashkëpunuar me emisionin satirik dhe investigativ italian “Le Iene”, dhe që ka vizituar Sirinë para dy javësh, u bën thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë për fëmijët shqiptarë që ndodhen në kampet e përfshira nga kaosi i luftës.

Kopliku shkruan në Facebook se kampi në Siri, ku janë strehuar rreth 70 mijë persona, shumica gra dhe fëmijë të terroristëve të ISIS, është përfshirë nga një kaos i dhunshëm për shkak se bashkë me ushtrinë turke, në zonën e kurdëve të Sirisë ndodhen edhe shumë mercenarë të celulave ekstremiste, si Al Qaeda.

I informuar nga personi sirian që i shoqëroi gjatë udhëtimit në Siri, dy javë më parë, Kopliku raporton se kampi është në kaos të plotë, nën dhunën e përplasjeve të grupeve të ndryshme. Tendat janë djegur dhe ka pasur përpjekje për t’u arratisur, duke shkatërruar muret rrethuese të kampit. Këto përplasje kanë çuar në dhjetëra viktima.

Në këto kampe janë rreth 30 fëmijë e 30 gra shqiptare, të cilët mbahen aty vetëm sepse kanë qenë dërguar në atë vend nga bashkëshortët e tyre, duke bërë që fëmijët dhe gratë të jenë fajtorë vetëm sepse ishin në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.

Rreziku është që ekstremistët e ISIS-it të përfitojnë nga kaosi dhe të futen me dhunë në kamp për të marrë gratë dhe fëmijët e tyre, ndaj gazetari i bën thirrje shtetit shqiptar që të tregohet i përgjegjshëm dhe të veprojë për të kthyer në shtëpi fëmijët dhe gratë e pafajshëm që janë të përfshirë në atë vorbull dhune.