Mënyra sesi është festuar shqiptarët vjen e përmbledhur në këtë libër nga etnologu Izaim Murtezani. Sipas tij, kjo datë e kalendarit të festimeve pagane tipike edhe për pjesën shqiptare, por edhe për popuj të tjerë të rajonit, së bashku me Ditën e Verës, Karnavalet ilire të Bozovcës janë vetëm një pjesë e vogël e thesarit popullor që kërkon të valorizohet me urgjencë
Evis HALILI
Shkup, 4 tetor – Ritualet e festimit të Ditës së Shëngjergjit në Maqedoni (6 maj) tek popuj të ndryshëm janë përmbledhur së bashku në botimin më të fundit të Institutit të Folklorit dhe Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, shkruan në numrin e sotëm në gazetën KOHA.
I promovuar në kuadër të shënimit të Vitit evropian të trashëgimisë kulturore 2018, ky libër përmbledh disa punime shkencore disavjeçare për valorizimin e festimeve të festës së pranverës – Shëngjergji tek të pesë komunitetet etnike, maqedonas, shqiptarë, romë, vlleh dhe turq. Qëllim i këtij libri është potencomi i rëndësisë që ka diversiteti në shprehjet kulturore të popujve të ndryshëm dhe nevoja për të përfshirë kulturën jomateriale në krijimin e politikave të zhvillimit shtetërore, por edhe ndërkombëtare.
Drejtoresha e DMT, Eleonora Petrova Mitevska, gjatë promovimit u shpreh se duke e identifikuar funksionin koheziv që ka trashëgimia jomateriale në shoqëri, në këtë rast Shëngjergji, është shpallur si trashëgimi që bën pjesë në nënkategorinë e rëndësisë së posaçme, në vitin 2011.
“Jemi krenarë që me këtë festë kemi hyrë në trashëgiminë jomateriale botërore kulturore të UNESKO, ndër vendet e para ku në fokus janë bashkësitë etnike dhe jo populli kryesor që jeton në Maqedoni”, u shpreh drejtoresha e DMT gjatë promovimit.
Mënyra sesi është festuar tek shqiptarët vjen e përmbledhur në këtë libër nga etnologu Izaim Murtezani.
Sipas tij, kjo datë e kalendarit të festimeve pagane tipike edhe për pjesën shqiptare, por edhe për popuj të tjerë të rajonit, së bashku me Ditën e Verës, Karnavalet ilire të Bozovcës janë vetëm një pjesë e vogël e thesarit popullor që kërkon të valorizohet me urgjencë.
“Janë shumë festa të tjera, data që lidhen me kalendarin pagan e që janë drejt zhdukjes, për shkak se duke qenë se praktikohen gjithnjë e më rrallë nuk do të kemi mundësi që t’i valorizojmë. Nëse ritualet e ciklit antropologjik, ato të lindjes, ritet mortore e të tjera janë ruhen në disa zona dhe jemi ende në kohë që t’i ruajmë, ka shumë të tjera, si proza popullore, lirika e epika popullore që është vështirë edhe që të valorizohet”, thotë Murtezani. Sipas etnologut pavarësisht se viteve të fundit sensibilizmi për këtë çështje është në një nivel më të lartë, shqiptarët janë shumë vonë për të ruajtur thesarin etnologjik, mungojnë kuadrot e specializuar në gusha të ndryshme të etnografisë, por edhe mbështetja financiare për hartimin e elaborateve dhe evidentimin e tyre në Regjistrin nacional të trashëgimisë jomateriale.
“Deri tani kemi valorizuar një pjesë shumë të vogël dhe ky proces po ecën gradualisht, por problemi më i madh që do të kemi edhe në të ardhmen janë mungesa e ekspertëve të kësaj fushe, të themi për të valorizuar vallet, këngët, veshjet, e të tjera. Ne si Institut po bashkëpunojmë edhe me Institutin e Trashëgimisë në mënyrë që valorizimi dhe ruajtja nga zhdukja e thesarit popullor të ecë me një dinamikë tjetër”, thotë Murtezani. (koha.mk)