Kompania “Lufthansa”, e ka ruajtur me fanatizëm sloganin e saj që në përkthim do të thotë “nuk ka mënyrë më të mirë për të fluturuar”. Kjo kompani do të jetë operatori që me motorët e saj do të mundohet të afroj Prishtinën me Beogradin në një linjë historike nga ku më parë kanë fluturuar ushtarakët dhe diplomatët. Por, a mjafton kjo dhe pse ne kemi nevojë për një dialog shumë më serioz?!
Nga Idro SEFERI
Iliri është nis me nxitim nga Mainzi, kryeqyteti i “landit” Reinland-Pfalz drejt aeroportit të Frankfurtit. Ka ardhur aty në fillim të viteve të ’90 dhe i ka ikur nga ushtrisë jugosllave. Punon në Marktplatz, në një siҫi thonë shqiptarët e këtushëm “bekeraj”. Si zakonisht në momentin e fundit ka vendos megjithatë të udhëtoj drejt Gjakovës e më pas në fshatin Meje. Nuk është shumë larg qyteti ku jeton nga Frankfurit, por me sa duket nuk ka patur pushim më herët. Aeroporti i Frankfurtit në shtrirje është më i madh se qyteti I tij i lindjes dhe ҫdo gabim nëpër “gejta”, e vonon atë pafundësisht. Por, kësaj radhe e ka paguar pak biletën më lirë. Iliri ka një emergjencë familjare. Atje e presin tetë jetim edhe nëna e tij që ka mbet me i rujt familjen. Baba dhe tre vëllezërit nuk i kanë mbijetuar luftës së Kosovës. Dy vëllezërit i kanë lënë fëmijë, njeri jo. Ilirit i takon barra me i mbajtë me bukë edhe ata në Kosovë edhe ata që i ka në Gjermani. Kishte shpresuar se, pas luftës do të ndodh diҫka e, edhe mund të kthehej në vendlindje. Por, kishte vendosur të pret që të krijohet një siguri. Kjo ia kishte marrë edhe dy dekada në mërgim.
Arrinë tek dalja dhe hyrja në aeroport.”Numër 36, drejt ju lutëm”, i tregon stjuardesa, të cilës në një copëz të metaltë ngjitur për këmishe i shkruan emri Antje.
Fill pas tij hynë Stojani. Ai jeton në një pjesë tjetër po ashtu jo shumë larg Frankfurtit, në Heidelberg, të Baden Wurttemberg. Në Gjermani e ka sjellë po ashtu ftesa për luftë në Kroaci e në Bosnje. Për më shumë se dhjetë vjet nuk ishte kthyer në vendlindje pasi mund ta priste gjyqi ushtarak. Avioni do të nisej për pak dhe Stojani mezi pret të arrijë në Beograd për të vazhduar më pas drejt Shumadisë, edhe dy orë udhëtim drejt Cicevcit e Varvarinit. Në vendlindjet e tij më dymijë e diҫka banorë kishte bombarduar NATO. “Numër 37, drejtë ju lutëm”, i thotë Antje në rutinë që për një moment e ndaloi pasagjerin sikurse do i thoshte djathtas ose majtas. “Boarding completed”, thotë ajo dhe avioni mbyllet. Stojani punon si automekanik në Heidelberg dhe sa më shumë që kthehet në vendlindje, bindet sa fati i tij paska qenë mërgimi. Disa familjar të tij kanë vdekur në bombardime. Një pjesë të atyre që mbijetuan i ka marr me vete dhe nëse kthehet, fëmijët nuk duan më në Serbi.
Iliri dhe Stojani, pavarësisht se jashtë jetojnë në rutinë gjermane, nuk kanë aq urrejtje, ndonjëherë në punë u bie të shërbejnë shqiptar e serb. Në brendi ia kanë frikën njëri-tjetrit dhe në të dyja familjet si fajtorë janë parë të tjerët. Iliri, e kishte zgjedhur megjithatë biletën pak më të lirë dhe gabimisht i kishte dal linja Frankfurt-Beograd-Prishtinë. Ndër vite, edhe kur kosovarët tjerë kalonin nëpër Serbi, Iliri e kishte si të mbjellë afrimin me serbët apo kalimin në autostradë për ti rënë më shkurt. Dhimbja që i kishte mbet mbrapa nuk kalohet lehtë. Kurrë askush nuk ishte dënuar për vrasjen e familjarëve të tij. Stojani kishte besuar se shqiptarët janë terrorist, pavarësisht se kishte ikur nga lufta, mllefi i kishte ngelur dhe dëgjonte rrëfime e lajme. Të dy jetonin në vendlindjet e tyre, të lidhur me media, gazeta e ngjarje familjare përmes telefonave të mençur. Kështu disi Iliri shante nga larg pse nuk bëhej asgjë dhe përse paratë e tij nuk mund të investoheshin në diҫka, por gjithmonë bëhej fjalë për mbijetesë. Stojani e shihte që në Serbi nuk është si në Gjermani dhe i parë si i huaj dhe si vendas e shihnin për budalla që vinte aq shpesh.
Nga Iliri e Stojani mbushej mjaft buxhet në Kosovë e në Serbi. Por, Ilirit si kishte dhënë kush përgjigje për masakrën dhe Stojanit askush pse kishin ndodhur bombardimet dhe ҫfarë ka ndodhur në të vërtetë. Ata e dinë që duhet patur kujdes pasi gjithmonë ekziston mundësia që të ndodh diçka. Ai zihet besë?!
Se a rrinë me siklet, zihen, rrihen apo bëhen miq këta të dy, nuk kuptohet. Një histori kështu disi imagjinare do ta marr përsipër Lufthansa, kompania e dytë më e madhe në Evropë dhe do të mundohet të lidh Beogradin e Prishtinën me linjë avionit, e cila më pas sigurisht në shumicën e rasteve do ti lidh këto vende me atë ku ka më shumë treg, zonat e Bashkimit Evropian dhe tutje. Këtu do të lidhet edhe me hekurudhë dhe linja të tjera e deri tek autostrada.
Natyrisht se shqiptarët dhe serbët kanë nevojë për lidhje, qarkullim dhe deri tek miqësitë. Por, në praktikë kjo është pak më e vështirë. Kjo në asnjë mënyrë nuk është e pamundur dhe gjithsesi ka për të ndodhur, nëse jo në këtë kohë, kurdoherë. Por, ajo që është e rëndësishme këtu është spastrimi i hendekut të së shkuarës për shkak se për ata që kanë dhimbje nuk mjafton shprehja “ti kthehemi të ardhmes” pasi është më lehtë të thuhet se sa të bëhet dhe ndjehet.
Kosova dhe Serbia duhet të kenë lidhje të shpejta, lehtësira në qarkullim, komunikim, heqjen e paragjykimeve, plaçkitjeve dhe frikës, por mbi të gjitha krijimin e një ndjenje barazie dhe sigurie. Për këtë në infrastrukturë nevojiten investime, heqja e barrierave, tarifave dognaore, heqja e pagesave për udhëtim për kosovarët, e letrave të veçanta e speciale, marrëveshje për targat pa pagesë, njohje e sigurimit. Krijimi i një linje të shpejt hekurudhore mund të ndihmonte qytetarët dhe bizneset. Ta zëmë nëse treni do të shkonte diku rreth 200 kilometra në orë atëherë në linja ekspres ose vetëm me disa ndalesa udhëtimet do të shkurtoheshin deri në 2-3 orë maksimumi. Kjo mund ti ndihmoj ata që shkojnë në spitale dhe në punë të tjera. Kufijtë e Kosovës dhe Serbisë kurrë nuk janë pa punë dhe pa pasagjer me ata që udhëtojnë për qejf e deri tek hallexhinjtë që nuk kanë nga t’ia mbajnë. Është e qartë që urrejtja dhe konflikti nuk mund të zgjasin përgjithmonë pasi situata është e dëmshme dhe kancerogjene dhe investimet në vazhdimin e konfliktit shumë të larta. Ajo që ka bërë bashkësia ndërkombëtare është infuzion për vazhdimin e tij historik dhe atë përmes një diplomacie të mbyllur, aristokrate dhe të paqortueshme, pavarësisht se shumë shpesh rezultatet lënë për të dëshiruar. BE-ja madje mendonte të pajtonte shqiptarët dhe serbët në Mitrovicë duke krijuar parkun e paqes sipër urës së Ibrit. E dhe shqiptarët edhe serbët, që kanë hallet e tyre dhe që në asnjë mënyrë nuk mund të fajësohen për përgjegjësi kolektive, nuk kuptojnë shumë se ҫfarë po bëhet. Ka nga ata që zi e terr e shohin ҫdo gjë dhe i qëndrojnë kujdestar politikave të dëmshme derisa mundohen të kapin fluturimin e fundit drejt ekzistencës. Por, këtu nuk janë çuar njerëzit të bëjnë provokime të vazhdueshme dhe të krijojnë tensione e armiqësi pak për të forcuar pozicionet e tyre shtetërore, e më shumë pozitat e tyre personale me një harbutëri të pashoqe sa për reklama në rrjetet sociale. Shumë gjëra këtu nuk kanë ndodhur për shkak të serbëve apo shqiptarëve civil, por nuk kanë ndodhur për shkak të sistemeve oligarkike, mafioze dhe politikave linçuese të partive politike kundër të gjithë atyre që nuk rreshtohen në mendimet e tyre. Nga ana tjetër ka shumë mercenarë në opinion publik, një pjesë që shpresojnë se një ditë do të bëhen diҫka, e pjesa tjetër zëdhënës zyrtarë dhe jozyrtarë. Serbia nuk ka avancuar drejt BE-së për shkak të kryeneçësisë se politikanëve dhe një ideje të superfuqisë mistike, ndërkaq Kosova për shkak se është ecur pa plan dhe pa ide për të ndërtuar diҫka, por me ide të sistemimeve personale. Ballkani në përgjithësi duke pritur lulëzimin e demokracisë është kthyer në një vend anti-vlera ku secili person dëshiron të ligjëroj në fakultete, ka master, është në punë me të njohshëm, ka blerë diploma dhe është përqafuar degradimi në interes të “rehatimeve” personale dhe blerjes së banesave apo paraqitjes publike si me qenë francez. Numri i konformistëve është rritur dukshëm si kërpudhat pas shiut. Madje, po të kesh qëndrime të prera shihesh si budalla, izolohesh dhe mund të përjetosh falimentim personal e shpirtërorë.
Bashkësia ndërkombëtare, nga ana tjetër, ka një sistem diplomatik të gjobitjes së popullit me ngecjen e proceseve me shpresën që ata një ditë do të çohen në revoltë apo do të zgjedhin dikë tjetër për udhëheqës. Por, kur pyeten për ndihmë, zgjedhin rrugën institucionale dhe sigurinë publike. Ballkanasit nuk kanë frikë të ngrihen në këmbë asnjëherë, por ata tani nuk kanë shpresë.
Kështu disi kaloj edhe vizita e të dërguarit të presidentit, Donald Trump, ambasadorit në Berlin të SHBA, Richard Grenell. Si njeri u duk i prerë dhe i sigurt. Në Beograd, bëri një batutë për numrin e kamerave në sallën e konferencave në presidencën serbe, por iu përgjigj vetëm një pyetje dhe sërish iku si i pakapshëm. Natyrisht, për këto 13 vjet sa jetoj në Beograd, kam kuptuar shumë gjëra më ndryshe dhe hapur jam shprehur për ripajtim dhe për një dialog të thellë dhe kësaj do ti qëndroj deri në fund. Por, ne si qytetarë nuk jemi rrezik për njeri-tjetrin në asnjë mënyrë dhe jam kundër epiteteve të kombeve “gjenocidiale” dhe floskulave të tilla patriotike apo heroizmat e luftërave që janë shpikur nga vet politikanët në mënyrë që të përfitojnë nga një mbrojtje politike. Por, nëse një gjë nuk i duhet Kosovës dhe Serbisë është një tjetër dialog farsë pas gjithë atyre konflikteve. Kjo i lodh të gjithë dhe asgjë nuk nxjerr në dritë. Ajo që nevojitet këtu është sqarimi se përse dhe ҫfarë do të ndodh nëse po dhe nëse jo dhe ҫfarë kërkohet, ҫfarë duhet bërë dhe a do të ketë kundër masa, ҫfarë ofron BE-ja, SHBA, presidenti Trump, nëҫfarë dialogu dhe për çfarë është ky dialog, ka mundësi të zgjidhet apo jo dhe me ҫfarë ideje përfundimtare? Kur në Kosovë e Serbi gufonin deklarimet e kundërthëniet viteve që shkuan pas, nëse me marrëveshje ishte kështu apo ashtu, nga BE-ja nuk jepej ndonjë qëndrim sqarues dhe qortues dhe secilit që i vinte e bastardonte dialogun. Për të qenë në paqe Iliri dhe Stojani, për të bashkëndjerë, ndoshta për të udhëtuar të qetë dhe për të ndjerë mbase edhe një empati mes vetesh, duhet të mos gënjehet, por të jemi të gatshëm të kalojmë nëpër katarzin e munguar secili me vetveten, shtetet mes vete, ne me politikanët, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare. E pyes një tw afërm timin që në familje ka të vrarë në luftë dhe më thotë që nuk ndjenjë urrejtje, por reakcion fizik nga padrejtësia. Njerëzit nuk e dinë a me urrejtë “armikun” a shtetin e vet më. “Prej armikut e dinë ҫka pret…”.
Linja e avionit është e domosdoshme, por kjo është vetëm një figurë e “puzzle” apo e gjëegjëzës së ripajtimit. Koha ka rrjedh shumë. Ne nuk kemi nevojë për teste dhe rifillime pasi na është çel jeta plagë me teste mbi ne. Nuk është mirë të na premtohet “udhëtim i këndshëm” në vlerë prej 400 euro dhe për drekë të na dhurohet nga një mollë në qese letre. Faleminderit që fluturuat me mua!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)