Shkup, 4 qershor – Në Kuvend sot u promovua Grupi parlamentar interpartiak për të drejtat e romëve në Republikën e Maqedonisë në të cilin bëjnë pjesë deputetë të partive të ndryshme politike.
Kryetari i Kuvendit, Takat Xhaferi theksoi se këto grupe të mbështetjes janë provë se të gjithë deputetët në shtëpinë ligjvënëse, maturojnë dhe ngrihen mbi interesat partiake pa dallim proveniencës politike prej të cilës vijnë.
“Bashkohemi, bashkëpunojmë dhe bëjmë diçka që është për të mirën e përgjithshme, a në këtë rast, për të mirën e bashkëqytetarëve tanë nga bashkësia etnike rome. Të gjithë e kemi mirë të njohur gjendjen e përgjithshme të këtyre bashkëqytetarëve tanë, respektivisht, fakti se janë të margjinalizuar, jo mjaft të integruar në shoqëri, me shkallë të ulët të inkuadrimit në procesin arsimor, me mbulim jo të mjaftueshëm të sektorit shëndetësor dhe një sërë jovolitshmëri tjera të cilat ndikojnë negativisht mbi mirëqenien e tyre ekonomike dhe të përgjithshme”, tha Xhaferi.
Bëhen përpjekje, shtoi ai, për sado pak përmirësimin e situatës dhe me këtë rast mendoj për Dekadën e Romëve që e ka nënshkruar edhe Republika e Maqedonisë, ndërkaq nuk është i vogël edhe kontributi i sektorit joqeveritar, mirëpo, nuk guxojmë të harrojmë se ne jemi përfaqësuesit e popullit, ne jemi të zgjedhur nga populli, kjo është shtëpi e popullit dhe ky është vendi ku duhet të nxirren, të ndryshohen dhe plotësohen ligjet me të cilat do të sanksionohet kjo fushë. “Përsëri, nuk guxojmë të mbesim vetëm në nxjerrjen e ligjeve cilësore, por, duhet të angazhohem në drejtim të kryerjes së mbikëqyrjes së implementimit, respektivisht, zbatimit të ligjeve”, potencoi Xhaferi.
Deputeti, Samka Ibraimovski theksoi se romët mbeten kategoria më e ndjeshme me probleme akoma të mëdha dhe çështje të pazgjidhura në pjesën e banimit, shëndetësisë, punësimit…
“Po e bëjmë këtë grup interparlamentar për atë se si dhe në çfarë mënyre të ndihmojmë të zgjidhen të gjitha problemet e komunitetit rom në Republikën e Maqedonisë. Vlerësoj se kemi detyrë të rëndë, probleme të vështira, e dimë romët në çfarë gjendje ndodhen”, tha Ibraimovski.
Ministri pa resor për zbatimin e Strategjisë për romët, Aksel Ahmedovski theksoi se shkelja e të drejtave të njeriut më së shumti është vërejtur tek komuniteti rom, si grup më i margjinalizuar i cili është më i ekspozuar në diskriminimin mbi të gjitha bazat.
“Është e nevojshme të bëhen angazhime për rritjen e nivelit të zbatimit të Strategjisë së romëve 2014-2020 dhe planeve vepruese kombëtare për banim, shëndetësi, punësim përforcimin e pozitës së gruas rome”, tha Ahmedovski.