“Futbolli është në luftë”. Ky ka qënë titulli kryesor I disa prej të përditshmeve më të rëndësishme në Evropë pas luftës së hapur mes FIFA-S, UEFA-s e federatave kryesore në një krah dhe 12 klubeve themeluese të Superligës Europiane, që njoftuan zyrtarizimin e kompeticionit të ri.
“Daily Mail” ka si titull kryesor “Futbolli është në luftë”. “Një akt kriminal kundër klubeve”, shkruan “Daily Mirror”, duke perifrazuar fjalët e Gary Neville.
E përditshmja më e famshme sportive franceze, “L’Equipe”, ka si titull kryesor: “Lufta e të pasurve” Fjalën luftë përdor edhe spanjollja ABC në titullin e saj kryesor, ku shkruan: “Luftë në futbollin europian për krijimin e Superligës”.
Corriere dello Sport gjithashtu përmend fjalën e ditës: “Luftë e hapur e UEFA-s kundër Superligës”. Gazzetta dello Sport, që ka dalë kundër në qëndrimin redaksional, shkruan: “Superliga, aspak super”.
Një stuhi e vërtetë që ka pushtuar futbollin evropian, ku e ardhmja e kompeticioneve kombëtare është përfshirë nga një tymnajë, ndërsa Champions League dhe Europa League, edhe nëse zhvillohen, rrezikojnë të luhen pa superfuqitë e futbollit europian, çka do të dëmtonte rëndë UEFA-n, në një kohë që në krahun tjetër përfitimet financiare kanë shtyrë 12 klubet themeluese të krijojnë këtë event unik për Evropën.