Sipas gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, punimet e konferencës ishin mbajtur në sallën e Shtëpisë së Kulturës, ku përveç flamurit jugosllav dhe fotografisë së liderit komunist J. B. Tito, qëndronte edhe flamuri kombëtar shqiptar dhe fotografia e Skënderbeut
Nga Qerim LITA
(vazhdon nga numri i kaluar)
Në kuadër të kësaj propagande, nën mbikëqyrjen e fortë të UDB-së, me 10 maj të vitit 1951, në Prizren mbahet një konferencë e emigracionit politik shqiptar. Në të, mori pjesë një numër i madh i udhëheqjes komuniste jugosllave, përkatësisht asaj kosovare në mesin e tyre edhe Dushan Mugosha dhe Kol Shiroka.
Sipas gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, punimet e konferencës ishin mbajtur në sallën e Shtëpisë së Kulturës, ku përveç flamurit jugosllav dhe fotografisë së liderit komunist J. B. Tito, qëndronte edhe flamuri kombëtar shqiptar dhe fotografia e Skënderbeut. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Komitetit Krahinor të PK-së për Kosovë e Metohi, Dushan Mugosha, ndër të tjerave shprehet:
“…Historia e popullit Shqiptar asht e mbushun me lufta. Që nga Skënderbeu e këndej: populli i Shqipnis ka luftue shekuj me rradhë. Në këto lufta ai ka tregue aftësi të jashtëzakonshme dhe se asht gati të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut të vet për lirinë dhe pamvarsinë e tij…Në vitin 1941, me ndihmën e Partis Komuniste të Jugosllavisë dhe të shokut TITO, populli Shqiptar rrëmbeu armët dhe u-hudh në luftë për lirinë dhe pamvarsinë e vet. Gjat kësaj lufte u krijua blloku luftarak për çlirimin e vendit, tue mos marë parasysh ndamjet në fise dhe fena, komunista apo demokrat. Në saje të kësaj lufte u -krijua edhe shteti i lirë Shqiptar…Ju keni ndigjue se me inisijativën e udhëheqsis së Bashkimit Sovjetik u prue rezolucioni famkeq i Byros informative, ju e dini edhe se me këtë rezolucjon vendi i jonë u akuzue si shtet imperialist, si shtet që don me shkel Shqipnin etj… Detyra kryesore të cilën e muerr Enver Hoxha prej shërbimit informativ të Bashkimit Sovjetik asht: në rradhë të parë me e shkatërrue vllaznimin midis këtyre dy popujve atë vllaznim i cili asht krijue me gjakun e popujve tonë… Kjo politikë i dha kurajo disa reaksjonarve të perëndimit, qi të luftojnë për pozitat e humbuna në Shqipni, për robnimin e Shqipnis.. Këta iluzione duhet të hidhen poshtë . Nuk ka rrugë çlirimi i Shqipnis as nga okupacjoni i Bashkimit Sovjetik, as nga perëndimi. Lufta e drejtë asht sod lufta për një Shqipni demokratike të pamvarun e republikane, ku do ë rivendoset vllaznia me popujt tanë në Jugosllavi…”.
Në konferencë , u themelua Organizata me emrin: “Lidhja e emigracionit politik shqiptar në Jugosllavi”, pastaj u miratua statuti i organizatës si dhe u lëshua një “Thirrje”, drejtuar popullit shqiptar në Shqipëri. Qeveria komuniste jugosllave, pati informacione të sakta për zhvillimet politike dhe organizative të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, si në shtetet perëndimore, po ashtu edhe në brenda territoreve të shtetit shqiptar dhe tokave shqiptare nën Jugosllavi. Nga frika, se mos vallë në Shqipëri do të vendosej pushteti demokratik pro anglo-amerikan, përkundër asaj se numri më i madh i të strehuarve politik shqiptar përbënin shtresën antikomuniste, udhëheqja politike jugosllave u përpoq, atë shtresë për qëllime politike antishqiptare. Në kuadër të asaj, padyshim se qe edhe organizimi i konferencës së përmendur më lartë, e cila nga informatat e dala nga vetë pjesëmarrësit, organizimi i së njëjtës ishte kryer me dhunë nga ana e oficerëve të UDB-së, që asaj kohe drejtohej dhe menaxhohej nga dueti serbomadh, Rankoviq-Stefanoviq. Ata, gjithashtu pohojnë se të gjitha dokumentet e aprovuara në të, nuk ishte vullneti i tyre, porse të njëjtat ju janë servuar nga UDB-ja. Neni 4 i Statutit, përcaktonte qëllimin final të organizatës ku thuhej shprehimisht:
“Lidhja e emigracionit politik shqiptar në RFP të Jugosllavisë, do të luftojë kundër çdo tendence që përsëri do ta nënçmonte Shqipërinë – madje nga cili do vend që do të vij ky nënçmim (Perëndimi apo Informbyroja), do të luftojë kundër çdo tendence që ka për qëllim ndarjen e Shqipërisë si dhe kundër çdo shqiptari që e shet Shqipërinë dhe interesat e saj. Të përforcojë miqësinë e popullit shqiptar me të gjithë vendet që e pranojnë pavarësinë e Shqipërisë, në radhë të parë me Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë si e vetmja mike e sinqertë e Shqipërisë..”.
Çështje në vete përbën “Thirrja”, gjoja e lëshuar nga pjesëmarrësit e konferencës, e cila për nga përmbajtja, shihet qartë se e njëjta është hartuar paraprakisht në kuzhinat e Byrosë Politike të PKJ, përmes së cilës , komunistët jugosllav mendonin të përfitojnë në dy drejtime:
Së pari, të krijohet përçarje brenda strukturës udhëheqëse të PKSH-së , me çka atyre do u mundësohej ta rikthenin dominimin politik ndaj saj, dhe
Së dyti, të krijohej përçarje midis emigracionit politik shqiptar në perëndim dhe atij të vendosu në Jugosllavi. Se çfarë në të vërtetë thuhej në Thirrje, të njëjtën në vazhdim po e shpalosim të plotë:
“THIRRJE
“E Lidhjes së emigracionit politik shqiptar në Jugosllavi” drejtuar popullit shqiptar nga konferenca e Prizrenit 10. V. viti 1951.
Mbi fatin e popullit shqiptar po kalojnë mjegulla të errta me kërcënime të shumta dhe mendime kriminale. Edhe pse vendi i vogël Shqipëria në kohë të fundit është bërë një fushëbetejë e interesave të ndryshme dhe kundër interesit të popullit shqiptar, i cili në Luftën e Dytë Botërore e fitoi lirinë, tash e njejta është në rrezikë. Trathtia e qeveris së Enver Hoxhës – e cila ja shiti pavarsinë e Shqipërisë, qeverisë së Bashkimit Sovjetik – u flijuan të arriturat e luftës nacional çlirimtare, është rrezikuar Shqipëria si shtet, është rrezikuar edhe paqja, pasuria dhe jeta e popullit shqiptar.
- Qeveria e Enver Hoxhës, pa as çfarë turpi e tradhtoi popullin tonë dhe pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën pasardhësit e Skënderbeut legjendar shekuj me radhë kanë luftuar pa kompromise, për të cilën edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër okupatorit italian dhe ndihmësve të tij, mira patriotë më të dalluar e dhanë jetën e tij. Mbi 3000 ‘ekspertë’ të ndryshëm nga Bashkimi Sovjetik falë politikës tradhtare të pushtetbajtësve të tanishëm po jetojnë në shpinën e popullit tonë. Me ndihmën e policisë së Mehmet Shehut ato e mbajnë nën kontroll e tërë jetën e brendshme të atdheut tonë. ‘Ekspertët’ rusë i mbajnë pozitat kyçe në Ushtrinë Shqiptare dhe me punën e tyre agjento-spiune e ndajnë popullin tonë në kundërshtim me interesat e tij dhe dëshiron ta shfrytëzoj atë për qëllimet e tyre të errëta në Ballkan.
Nëpërmjet të të ashtuquajturave shoqëri të masave nën kontrollin e ‘ekspertëve’ rusë, sot po qëndron pjesa më e madhe e ekonomisë shqiptare. Kështu shpresat tona për ndërtimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur dhe shtet të përparuar socialistë janë shuar. Ekonomia shqiptare nuk po zhvillohet në bazë të interesave të popullit shqiptar, por ashtu si ju kuvenon hajdutëve, gjegjësisht interesave të udhëheqjes së Bashkimit Sovjetik. Për shkak të asaj politike ekonomike ndodh që sot populli nuk posedon edhe me ato artikuj që në Shqipëri ka me bollëk.
Për shkak punës shkatërruese, antinacionale, për shkak depërtimit të atillë nëpër Shqipëri, populli i ynë detyrohet që nga goja e vet të ndajë kafshatë që ‘ekspertët’ rusë të marrin rroga të majme, të cilat për disa herë i tejkalojnë rrogat e popullit tonë punëtorë.
Kështu, pas një kohë bukur të shkurtë duke ju falënderuar veprimtarisë tradhtare të Enver Hoxhës etj., njerëz të shitur, e kemi humbur lirinë dhe pavarësinë të cilën aq shtrenjtë e kemi paguar. Sot populli ynë nuk ka liri, atij i është marrë pushteti nga dora dhe nuk i ka ngelur asgjë tjetër veç se sërish të luftoj për liri dhe pavarësi për pushtetin e tij demokratik, të luftoj që jeta e tij e brendshme në tërësi të organizohet ashtu siç i konvenon atij.
Qeveria e Enver Hoxhës, me diktatin e BRSS-së, ka bërë gjithçka që ta zhdukë popullin tonë: ajo i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me një mike të sinqertë të shqiptarëve – me Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë, me popujt e Jugosllavisë, me të cilët kemi luftuar së bashku gjatë luftës së kaluar kundër armiqve tanë të përbashkët dhe të cilët neve, si gjatë luftës poashtu edhe pas saj, na ndihmuan në mënyrë vëllazërore.
Duke u mbështetur pas Bashkimit Sovjetik, Qeveria e Enver Hoxhës e izoloi dhe e solli Shqipërinë në një gjendje tepër të rrezikshme. Qeveria e Bashkimit Sovjetik, e cila e nënshtroi Shqipërinë për interesat e veta, e cila ja ka marrë pavarsinë politike dhe ekonomike, dhe e cila ndaj Shqipërisë nuk obligohet në asçfarë marrëveshjeje ndërkombëtare. Përkundër asaj se, është e njohur që marrëveshjet të cilat i sjellë Qeveria e BRSS-së , nuk vlejnë më shumë se një letër bohe, mirëpo përsëri me Shqipërinë, një shtet nga shtetet e dominuara nga ajo, nuk ka bërë as marrëveshje për miqësi, e jo më marrëveshje për ndihmë reciproke. Kjo nuk është e rastit por tërësisht në pajtueshmëri me politikën imperialiste të Qeverisë së BRSS-së, politikë e ndarjes së sferave të interesit, politika e kushtëzimit dhe në pajtim me imperialistët tjerë, politikë e tregtisë për fatin e shteteve të vogla, që Qeveria e BRSS-së e praktikon kudo ku ajo i mundësohet. (vijon nesër)