Policia maqedonase, më 7 janar 1991 bastisi Shtëpinë Botuese ku qe paraparë të shtypet materiali i Referendumit, duke iu kërcënuar pronarit të shtëpisë “se do të pësoj shumë keq” nëse vazhdon me shtypjen e atij materiali. Në prag të mbajtjes së referendumit, me urdhër të Ministrisë për Punë të Brendshme, policia bastisi shtëpitë e disa aktivistëve për organizimin e Referendumit, një pjesë e të cilëve edhe u privuan nga liria
Nga Qerim LITA
Si kundërpërgjigje ndaj mohimit të vazhdueshëm të kërkesave për barazi nacionale, dy partitë politike shqiptare, vendosën të bojkotojnë Referendumin për shpalljen e pavarësisë, i cili u mbajt më 8 shtator 1991, pastaj deputetët shqiptar nuk e votuan Kushtetutën për shkak se me të shqiptarët u shpallën pakicë nacionale, ndërsa paraprakisht qe bojkotuar edhe regjistrimi i popullsisë, i cili u dasht të mbahet në muajin maj të atij viti.
Ndërkohë, më 27 dhjetor të vitit 1991 me nismën e grupit parlamentar shqiptar dhe me përfaqësues, këshilltarë nga kuvendet komunale të 17 komunave të banuara me shqiptarë, në Gostivar në zyrën e Partisë për Prosperitet Demokratik u themelua Kuvendi për shpalljen e Autonomisë Politiko-Territoriale të Maqedonisë (në vazhdim APTShM-së). Neni 2 i vendimit përcaktonte numrin dhe përbërjen e delegatëve: “Kuvendi përbëhet prej 51 delegatëve atë e përbëjnë një grup të deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë dhe nga tre këshilltarë të Kuvendeve komunale të: Shkupit, Kumanovës, Tetovës, Gostivarit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Ohrit, Resnjës, Manastirit, Krushevës, Makedonski Brodit, Prilepit dhe të Tito Velesit”, ndërsa neni 3 përcaktonte strukturën udhëheqëse të Kuvendit si dhe kompetencat e tij, ku thuhej tekstualisht:
“Kuvendi për realizimin e referendumit zgjedh: Kryetarin, Nënkryetarin dhe Sekretarin, sjell
– Statut të përkohshëm,
– Rregullore për punën e Kuvendit,
– Emëron Kryetar dhe anëtarë të Komisionit qendror për realizimin e referendumit,
– Emëron trupa ndihmëse për realizimin e referendumit,
– Bën mbikëqyrjen për mirëvajtjen e realizimit të referendumit,
– Kryen punë të tjera që janë në kompetencë të këtij Kuvendi.
Gjithashtu, në mbledhje u vendos që “më datë 11 dhe 12 janar të vitit 1992 të mbahet Referendum në 17 komuna të Maqedonisë të banuara me shqiptarë”. Në deklaratën e dalë nga kjo mbledhje thuhej:
“Shpresat se me proceset e reja demokratike populli shqiptar do t’i gëzoj të drejtat e veta legjitime nuk u realizuan nga pushteti maqedonas. Në zgjedhjet e para pluraliste demokratike populli shqiptar përsëri pati presione, nuk arriti t’i zgjedh deputetët dhe këshilltarët sipas numrit të votave; populli shqiptar nuk e pranoi regjistrimin e popullsisë sepse nuk u plotësuan kushtet e nevojshme; gjithashtu nuk doli në referendumin e 8 shtatorit jo pse ishte kundër Maqedonisë dhe sovranitetit të saj, por nga se nuk u realizuan premtimet e udhëheqjes së Maqedonisë për barazi të plotë të shqiptarëve me maqedonasit; e njëjta gjë ndodhi edhe me Kushtetutën e Maqedonisë, ku të gjitha tentimet dhe përpjekjet që shqiptarët të jenë subjekt i barabartë në Maqedoni, nuk u përfillën nga pushteti maqedonas dhe kështu edhe me ndarjen e pushtetit në Maqedoni..Duke u gjetur në një situatë të tillë, populli shqiptar, me të drejtë e shprehu vullnetin e vet politik të patjetërsueshëm për shpalljen e Referendumit për Autonomi Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni”.
Më datë 30 dhjetor të vitit 1991 u mbajt mbledhja e dytë e Kuvendit në të cilën Gjyliaz Fejzullahu u zgjodh kryetar i Kuvendit, Liman Kurtishi nënkryetar dhe Naser Zyberi sekretar. Në kuadër të Kuvendit të APTShM-së, u formuan këto komisione:
Komisioni qendror për realizimin e referendumit në përbërje: Neim Selmani, kryetar, Ibish Kadriu, zëvendës kryetar, Shehat Shehu, sekretar, Rasim Dauti, zëvendës sekretar, ndërsa për anëtarë të komisionit u zgjodhën: Xhelil Tahiri, Abdullah Ahmeti, Arben Begu, Kadri Pollozhani, Sermet Sulejmani, Halit Hajdari, Qamil Atalko, Latif Karimani, Vebi Rexhepi, Maliq Dauti, Naser Ziberi, Agim Fazliu, Fergim Demiri, Nevruz Hoxha dhe Faik Rushani;
Komisioni për biseda me kryetarin e Republikës, Kiro Gligorov, në përbërje: Nevzat Halili, Iliaz Halimi, Mitat Emini, Gjyliaz Fejzullau, Liman Kurtishi, Mersel Bilalli si dhe tre deputet të cilët do t’i përcaktoj grupi parlamentar;
Komisioni për hartimin e tekstit për ndryshimin e Kushtetutës, në përbërje: Abdyraman Haliti, Zudi Emini, Naser Ziberi, Mitat Emini, Neim Selmani, Muhamed Halili, Ismet Ramadani, Mersel Bilalli dhe Olloman Sulejmani;
Komisioni për përcaktimin e shtrirjes së Autonomisë: Shukri Rahimi, Masar Kodra, Hamit Aliu, Asllan Selmani dhe Vebi Xhemaili;
Komisioni për shpalljen e zgjedhjeve: Gjyliaz Fejzullau, Naser Ziberi, Liman Kurtishi, Ibish Kadriu, Sermet Sulejmani, Ferit Sadiku, Xhelil Tahiri dhe Reshat Nexhipi;
Komisioni për e aktet e Autonomisë: Neim Selmani, Shehat Shehu, Avdi Murtezani, Musli Halimi, Arif Xheladini dhe Agim Fazliu;
Komisioni qendror për Informim: Ferit Fejzuallu, Nazif Selimi, Abdylnaser Sinani, Sejdali Saliu, Hidajet Elmazi, Qamil Atalko dhe Gajur Ramadani; dhe,
Komisioni për çështje strategjike: Mit’hat Emini, sekretar i përgjithshëm i PPD-së, kryetar, ndërsa anëtarë tjerë ishin: kolonel Naxhi Ahmeti, Ismet Shabani – Shkupi, Shinasi Rexhepi, Abdylvehap Ismaili, Dr. Ilir Luma, Resmi Ejupi, Selam Elmazi, Samet Hyseini, Sejdali Saliu, Sejdin Abazi, Zudi Bilalli, Eugen Cami, Petrit Fetahu, Arif Seferi, Naim Ibrahimi, Hysen Haskaj, Ismet Berisha, Muhamet Demiri dhe Fatmir Stavileci.
Po në këtë mbledhje u vendos që referendumi të mbahet më datë 11 dhe 12 janar të vitit 1992, në vendbanimet që do t’i përcaktoj Kuvendi me vendim të posaçëm. Ndërkohë, Komisioni qendror për realizimin e Referendumit, në mbledhjen e mbajtur më 3 janar, solli vendimin për mbajtjen e Referendumit, përmbajtja e të cilit ishte me sa vijon:
“Neni 1
Për realizimin e referendumit për Autonomi Politike Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, qytetarët do të deklarohen në pyetjen: ‘A jeni për Autonomi Politike Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni’.
Qytetarët do të deklarohen në mënyrë që në pyetjen e parashtruar nga alineja 1 e këtij neni me rrethimin e fjalës ‘PËR’ ose ‘KUNDËR’.
Neni 2
Ky vendim hy në fuqi në ditën e aprovimit”.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të APTShM-së, Gjyliaz Fejzuallau, me shkresën Nr. 03-14/91 të datës 6 janar 1991, njoftonte kryetarin e republikës, Kiro Gligorovin për datën e mbajtjes së Referendumit, dhe njëherit kërkon, t’i ndërmerr të gjitha masat për zhvillimin normal të Referendumit:
“Ju njoftojmë se Kuvendi për Autonomi Politik-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, në mbledhjen e mbajtur më 27 dhjetor 1991 duke u nisur nga Deklarata e BE-së në Bukuresht më 17 dhjetor 1991, Projekt-dokumentin e Konferencës të paqes për Jugosllavi dhe Deklaratën e Kuvendit të Maqedonisë, në lidhje me plotësimin e kushteve për pranimin ndërkombëtar të Maqedonisë, solli Vendim për shpalljen e Referendumit për Autonomi Politik-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, i cili referendum do të mbahet më datë 11 dhe 12 janar të vitit 1992 dhe qytetarët shqiptarë e të tjerë do të deklarohen për pyetjen “A jeni për Autonomi Politik-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni”. Prandaj Ju lusim të ndërmerrni masa përkatëse për krijimin e kushteve për zhvillimin normal të referendumit”.
Menjëherë pas kësaj shkrese, filloi një fushatë e egër shtetërore kundër Referendumit shqiptar, të cilës fillimisht i paraprinë mjetet e informimit në gjuhën maqedonase: RTV i Maqedonisë, shtypi, radiostacionet lokale e tjerë, që më pas të përfshihet edhe vetë qeveria, në krye me kryetarin e atëhershëm Nikolla Klusev, si dhe të gjitha partitë politike maqedonase, duke i akuzuar shqiptarët në përgjithësi, e udhëheqjen e PPD-së e të PDP-së në veçanti, se me shpalljen e Referendumit, ata dëshirojnë “ta cenojnë integritetin territorial të Maqedonisë”, se me këtë “mund të vij deri te gjakderdhja” etj. Në anën tjetër, policia maqedonase, më 7 janar 1991 bastisi Shtëpinë Botuese ku qe paraparë të shtypet materiali i Referendumit, duke iu kërcënuar pronarit të shtëpisë “se do të pësoj shumë keq” nëse vazhdon me shtypjen e atij materiali. Në prag të mbajtjes së referendumit, me urdhër të Ministrisë për Punë të Brendshme, policia bastisi shtëpitë e disa aktivistëve për organizimin e Referendumit, një pjesë e të cilëve edhe u privuan nga liria.
Mirëpo, as fushata antishqiptare e as represioni policor ndaj aktivistëve të dalluar të çështjes shqiptare, nuk qenë në gjendje ta pengonin vullnetin e popullit shqiptar. Kjo u pa që në mëngjesin e ditës së parë të referendumit (11 janar), ku mijëra shqiptarë dolën në vendvotimet e tyre, për të votuar “PRO” Autonomisë Shqiptare. Komisioni qendror për organizimin e Referendumit, i raportonte Kuvendit të APTShM-së, se në ditën e parë të votimit, në ora 11,30, “filloi aksioni policor, duke marrë kutitë dhe materialet votuese”, për çka, votimi u ndërpre për një kohë të shkurtë. Në vazhdim të raportit, thuhej se në tërë Maqedoninë, ishin hapur 500 vendvotime, ndërsa në 260 prej tyre kishte intervenuar policia. Në vendvotimet ku nuk pati intervenime nga ana e policisë “rrjedha e votimit është zhvilluar pa asnjë ndërprerje”, ndërsa në vendvotimet ku policia kishte konfiskuar tërë materialin zgjedhor, “komisionet sërish janë angazhuar dhe e kanë vazhduar punën në gjysmëilegaliteti me të vetmin qëllim që t’u mundësojnë qytetarëve të deklarohen”. (vijon në numrin e ardhshëm)