Evis HALILI
Shkup, 1 qershor – Ditën e Statistikës maqedonase, 1 Qershorin, Enti Shtetëror i Statistikave e ka shënuar ndryshe këtë vit. Institucioni më i përfolur dhe i kritikuar jo vetëm për besueshmërinë e informacioneve, por edhe për dështimin e operacionit të numërimit të popullsisë në vitin 2011, në faqen zyrtare ka publikuar një përmbledhje të punës, mes tyre edhe arritjeve, sipas të cilave ESHS rangohet në vendin e 30-të në botë për sistemin statistikor që posedon dhe të parin në rajon, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, në të nuk ka asnjë lloj informacioni lidhur me projektin për reformimin e këtij institucioni që do t’i kushtojë Bashkimit Evropian rreth 750 mijë euro. Statistika të besueshme, rrënjësore, të paanshme, transparente dhe pa ndikime politike. Këtë kanë kërkuar hartuesit dhe financuesit e projektit duke i paralajmëruar punonjësit e statistikave, që të jenë profesionalisht të pavarur dhe të mos pranojnë detyrat që mund t’i japin politikanët. Nëse projekti i BE që do të zgjasë edhe vitin tjetër do të arrijë të ndryshojë sistemin statistikor, të përmirësojë cilësinë, për momentin vëmendja e politikës është e zhvendosur nga ky institucion. Përveç artikulimit të kërkesave të herëpashershme të partive për zhvillimin e operacionit statistikor, ndryshimi i politikave të punësimit janë anashkaluar si çështje qoftë nga ish kabineti i qeverisë në ikje, apo edhe i asaj pasardhëse, por as nuk duket në agjendën e prioriteteve.
“Standardet evropiane në statistika janë një rrugë e gjatë në të cilën rrethanat dhe situatat ndryshojnë shpesh, dhe për këtë arsye është e domosdoshme reformimi i vazhdueshëm i këtij institucioni”, pati deklaruar gjatë prezantimit të këtij projekti në muajin janar shefja e Sektorit A3 të EUROSTAT, Klaudia Junker. Por, çfarë ndodh brenda institucionit? Drejtoresha Lidija Kosotovska, siguroi se gjatë kësaj periudhe duhej të rritej si numri i punonjësve, të përmirësoheshin kualifikimet e tyre dhe aftësitë, brenda këtij institucioni vijohet me praktikën e njëjtë. Reformat që duhet të nisin me rritjen e numrit të punonjësve shqiptarë, një prej pengesave që solli edhe në dështimin e procesit të numërimit të popullsisë as që kanë nisur. Duke bërë që ky institucion të radhitet mes atyre që përfaqësimin etnik e kanë në nivele skandaloze. Politikat e punësimeve, emërimeve dhe avancime në detyrë janë diskriminuese për pjesën shqiptare. Prej më shumë se 10 vitesh në jo vetëm që nuk është emëruar asnjë zëvendës drejtor shqiptar, por kuadri i vetëm shqiptar që mban një post drejtues është një ushtrues detyre. Në asnjë prej tetë njësive rajonale, nuk ka drejtues shqiptar, madje as në Shkup, Tetovë apo Kumanovë.
Punësimet e reja kanë vijuar, gjatë periudhës 2016-2017 numri i përgjithshëm i punonjësve është rritur me rreth 40 persona, por asnjë prej tyre nuk ka qenë shqiptar. Numri i punonjësve shqiptarë është ulur, mbi 40, ose rreth 13 për qind e numrit të përgjithshëm. Kjo përqindje është më e vogël sesa në vitin 2011, kur u bënë disa punësime pas presionit ndërkombëtar duke arritur në 17.3 për qind të punësuar shqiptarë. (koha.mk)