Një ish-zyrtar i kandidates së ekstremit të djathtë për zgjedhje presidenciale në Francë, Marine Le Pen, ka dalë me akuza të reja për financimin mashtrues partiak të Le Pen. Gael Nofri ka thënë se në vitin 2012, Fronti Kombëtar (FN) e kishte rekrutuar atë në ekipin e fushatës presidenciale të Le Pen-it, duke përdorur kontratë të trilluar të Parlamentit Evropian. Më sa duket kjo ishte një mënyrë për FN-në që t’i shmangej deklarimit të shpenzimeve të fushatës. FN-ja veçse është në hetime për keqpërdorim e fondeve të Parlamentit Evropian. Ndërkohë, sondazhet sugjerojnë se Le Pen është në rrugë të mirë për ta fituar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në muajin prill në Francë, por kandidati i qendrës Emmanuel Macron është duke fituar mbështetje dhe ka shumë mundësi që ta mposhtë Le Pen-in në balotazhin që parashikohet të mbahet në muajin maj.