Merre si ta marrësh, maqedonasit e kanë patjetër të kthehen te shqiptarët, jo vetëm për të përballuar me lehtë sfidat që vijnë nga jashtë, por edhe për të përjetuar në lëkurë teknologjinë e nivelizimeve brenda një ofiçine ku të gjithë futen me idetë e mëdha nacionale dhe dalin prej andej me puplat e lagura të klonimeve inxhjinjerike social-globaliste.
Emin AZEMI
Ndarjet në shoqërinë maqedonase, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Athinë – Shkup, a janë vetëm shprehje e qëndrimeve të kundërta në mes të përfaqësuesve të ndryshëm të komuniteteve elitare, apo kjo ndarje ka prekur edhe më thellë gjithë këtë shoqëri? Ende s’është bërë ndonjë hulumtim i opinioninit publik për të vërtetuar këto dilema e hamendësime, por ajo që është e sigurt – referendumi i paraparë për në vjeshtë do ta gjej shoqërinë maqedonase më të përçarë se kurdoherë. Nëse Referendumi për pavarësi (8 shtator 1991) kishte prodhuar një mobilizim masiv të popullatës etnike maqedonase për mëvetësinë e shtetit të munguar, tani e njëjta popullatë do të duhej ta shprehë një disponim krejt tjetër për të njëjtin shtet, por me një emër tjetër. Kauza e dikurshme për pavarësi, tani po shndërrohet në kosto për të faturuar iluzuionet e gabuara mbi të cilat u ndërtua projekti i dyzuar i shtetit me përmasat e një sfinge me trajtë antike e sllave (!).
Fati i shqiptarëve në këtë parabolë historike vazhdon të ndjekë një ritëm konstant, pa ngritje dhe ulje drastike të parametrave psiko-social në disponimin e tyre publik. Shqiptarët, për dallim nga bashkëqytetarët e tyre sllavë, ndjekin si me inerci një dinamikë tjetër të ndryshimeve, në shikim të parë mjaft inerte, por nëse vështrohet pak më thellë, del të jetë një qëndrim pak a shumë i natyrshëm dhe konsistent në mosofrim të zgjidhjeve kreative. Shqiptarët si ushtarë besnikë të status-quos disi kanë dëmtuar jo rrallë muret e brendshme të mirëqenies së tyre nacionale, por kanë ruajtur (ndoshta edhe pa vetëdije) muret e jashtme të ngrehinës së asaj që quhet shtet i përbashkët. Ndryshe nga ata, maqedonasit u munduan të konsolidojnë muret e brendshme të mirëqenies nacionale, paçka se doli që ato mure kishin qenë prej dërrasë gipsi me licenca antike e sllave, kurse sa për kujdesin ndaj mureve të jashtme (paradoksalisht) ngeli të jetë barrë vetëm e shqiptarëve.
Ajo çka është e papranueshme për shoqërinë maqedonase, nuk konsiderohet me automatizëm e pranueshme për shqiptarët, por në thelb ekziston një koherencë e papajtueshmërive që në instancë të fundit nuk shprehet në formë platformash, por vetëm si animozitete dhe mosdurime latente. Vetëm viti 2001 ishte vendimtar për të shënuar kthesën dhe për herë të parë shqiptarët e maqedonasit u gjendën aksidentalisht në pikën zero, prej ku pastaj, secili për llogari të veten, projektoi botën e perceptimeve pak a shumë të ngjyrosura me hilet e politikës së ditës. Ndryshimi i imponuar si rrjedhojë e kryengritjes së armatosur, do të duhej të sillte rezultate edhe më të mëdha në rekapitullimin e bilancit politik të të arriturave të shoqërisë shqiptare dhe kjo do të duhej të ndodhte patjetër sikur të mos kishte prirje që dinamikën e aksionit politik ta shndërronte në diskurse disi të vetëmjaftueshmërisë.
Nëse ndarja në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve pas 2001-shit ishte shprehje e sensibiliteteve të ndryshme konstitucionaliste, me ç’rast Marrëveshja e Ohrit për njërën palë shihej si atribut i avancimit substancial, kurse për palën tjetër si katastrofë nacionale, tani po ndodhë një ndarje tjetër brenda vetë shoqërisë maqedonase, e cila në thelb ka si lajtmotiv sërish sensibilitetin konstitucionalist, por me një konotacion tjetër që të përkujton kohën “kur të gjithë ishim shqiptarë”. Ikja për t’mos patur fatin e shqiptarit nga ana e maqedonasit të thjeshtë në shtetin që ata e konsiderojnë “të tyre”, do të përkthehej edhe si një katarsë tragjikomike e një pjesë të një shoqërie me elitë që intensitetin e zgjimit nacional ende e mat me reduktimin apo zgjerimin e të drejtave të shqiptarëve. Merre si ta marrësh, maqedonasit e kanë patjetër të kthehen te shqiptarët, jo vetëm për të përballuar me lehtë sfidat që vijnë nga jashtë, por edhe për të përjetuar në lëkurë teknologjinë e nivelizimeve brenda një ofiçine ku të gjithë futen me idetë e mëdha nacionale dhe dalin prej andej me puplat e lagura të klonimeve inxhjinjerike social-globaliste.
Evropa e nesërme në gjiun e saj do ta ketë edhe një fëmijë që ecjen në tokë e mëson duke ndjekur më tepër një algoritëm rrethanash gjeopolitike, se sa ndonjë nevojë imediate të brendshme për të qenë me automatizëm secili vetvetja. Dalja nga vetvetja dhe futja në lëkurën e tjetrit mund të jetë një kualitet i ri në procesin e faktorizimit si shtet me imazh tjetër, jo vetëm gramatikor, por edhe politik e juridik. Askush nuk garanton se ky tëhuajsim mund të jetë edhe shkas për pengesa të reja që e bëjnë më të vështirë këtë proces.
Nëse dje ishte Greqia pengesë për mos anëtarësim në BE dhe NATO, tani mund të jenë vetë qytetarët e këtij shteti kidnapues të ardhmërisë së tyre. Referendumi është një sprovë ku shqiptarët do të duhej edhe njëherë të dëshmojnë së janë musketarë të një “mbretërie” ku arsyeja e së ardhshmes e jo iracionaliteti i së shkuarës është thelbi i kuptimit të qenësisë dhe prezencës së tyre. Dhe, kuptohet këtu nuk përfundon gjithçka.