The Weeknd dhe Megan Thee Stallion, në listën e 100 personave më me ndikim në botë

11

Është publikuar lista e përvitshme e revistës “TIME” me 100 personat më me ndikim në botë, dhe sivjet në këtë listë janë përfshirë edhe yjet e muzikës, The Weeknd, Megan Thee Stallion dhe Halsey.

Siç e do tradita, çdo vit kur publikohet kjo listë secili person i cili përfshihet në të, nderohet me një shkrim të shkurtër nga ndonjë artist tjetër me po aq ndikim në fusha të ndryshme,transmeton Koha.

Halsey u nderua me disa fjalë mirësjelljeje nga anëtarët e grupit të Koresë Jugore, “BTS”, të cilët e quajtën atë një artiste tejet të talentuar.

“Puna me Halseyn ishte pikërisht siç e kishim imagjinuar. Ajo, jo vetëm që është një artiste tejet e talentuar, por është gjithashtu një partnere e devotshme e cila me seriozitetin më të madh iu përkushtua artit të cilin e kemi krijuar së bashku. Ajo na ka inspiruar shumë prandaj ndihemi të nderuar që kemi mundësi ta quajmë atë një mike. Mezi presim ta shohim kontributin e saj për botën, në vitet e ardhshme”, shkruhej në deklaratën e “BTS”.

Ndërkohë për kantautorin The Weeknd, fjalë të mira dhe lëvdata kishte thurur ylli britanik i muzikës Elton John.

“Ai nuk është i interesuar të bëjë muzikë komerciale, dhe megjithatë është një prej artistëve më të kërkuar dhe klikuar në platformën Spotify. Sikurse muzikanti Prince, ai ecën me ritmin e tij. Kështu është shembulli i përkryer se si duhet të jetë një artist”, shkruhej në mesazhin e Elton Johnit.

Ndërsa për ta nderuar rep artisten Megan Thee Stallion, ishte përkujdesur aktorja Taraji P.Henson.

“Më kujtohet kur për herë të parë e dëgjova muzikën e Megan Thee Stallion në një prej radiostacioneve më të famshme. Kishte kohë që nuk e kisha dëgjuar një artiste femër me talentin e saj për ta ndjekur ritmin”.

Tutje, pop ylli Taylor Swift ia ka dedikuar disa lëvdata aktores Phoebe Waller-Bridge, duke e quajtur një grua jashtëzakonisht të talentuar, Missy Elliot e ka nderuar disenjatorin Dapper Dan, ylli i serisë “Ugly Betty”, America Ferrera ka shkruar për këngëtaren e famshme Selena Gomez dhe Mary J Blige e ka vlerësuar talentin e këngëtares dhe aktores, Jennifer Hudson.

 

Comments are closed.