THE WASHINGTON POST: Miqësia me Izraelin mund t’u shkaktojë zi kurdëve

Kurdët thonë se nuk kanë miq përveç maleve. Tani ata kanë Izraelin, dhe kjo mund t’u sjellë zi… Flamujt izraelitë blu dhe të bardhë janë shndërruar në një pamje të zakonshme në kryeqytetin rajonal kurd, Irbil. Disa kurdë i valëvisin ata në makinat e tyre. Të tjerë i mbanin me entuziazëm në tubimet masive përpara referendumit të së hënës për pavarësi. Izraeli është bërë një avokat i zëshëm i pavarësisë kurde në referendum, dhe në një rajon ku flamujt izraelitë më së shumti shihen tek shkelen e digjen, imazhet e valëvitjes së tyre krijojnë përshtypje. Këta flamuj kanë furnizuar me argumente kundërshtarët e referendumit, të cilët thonë se ka një komplot izraelit për të ndarë Irakun. Proverba e vjetër kurde – që thotë se kurdët “nuk kanë miq përveç maleve” – u duk e përshtatshme përpara referendumit kur edhe miqtë e vjetër të Kurdistanit e kundërshtuan atë. Turqia, Irani dhe Iraku morën masa ndëshkuese. Shtetet e Bashkuara apeluan shtyrjen e referendumit, që disa kurdë e kritikuan si një tradhti. Izraeli, megjithatë, shprehu mbështetje entuziaste. Historikisht Izraeli ka pasur lidhje të përzemërta me kurdët, në një rajon përgjithësisht armiqësor. Politikanët izraelitë thonë se ndjejnë një farë afërsie të natyrshme me kurdët, duke parë ngjashmëri të përpjekjet e tyre për të pasur një atdhe, përkundër gjithë gjasave kundër.

Referendumi, megjithatë, ka hedhur dritë të re në këtë marrëdhënie, ose të paktën disa kurdë duken se po tregojnë ndjeshmëri ndaj kësaj ndjenje. Javën e kaluar, një burrë që po hynte në një tubim fushate në parkun qendror të Irbilit u ndalua nga policia që i konfiskoi një flamur izraelit që ai mbante. Oficeri i policisë e mbështolli me kujdes flamurin dhe e vendosi në makinën e tij. Pasi dha mbështetje publike në fillim të muajit, kryeministri Benjamin Netanjahu më pas instruktoi ministrat e vet të shmangnin komentet për referendumin. Në ditët e fundit para votimit, Barzani hodhi poshtë akuzat se referendumi do të krijonte një “Izrael të dytë” duke i quajtur ato “qesharake”. Ky koment pasoi atë të ish-kryeministrit irakian, Nouri al-Maliki, i cili tha se rajoni kurd do të bëhej një shtet satelit i Izraelit në Irakun verior. “Nuk do të pranojnë asnjë ndërhyrje izraelite në rajon, duarkryq”, tha kleriku shiit, Moqtada al-Sadr përmes një deklarate. Gazetat turke, ndërkohë, janë mbushur me teori konspirative që vënë në dukje se Barzani ka rënë dakord të riatdhesojë me qindra mijë hebrenj në rajon. Marrëdhënia e Izraelit me kurdët ka rrënjë të thella. Hebrenjtë e Kurdistanit e gjurmojnë trashëgiminë e tyre tek anëtarët e tribusë izraelite të Benjaminit, i cili arriti në zonë në shekullin e 8 përpara erës sonë. Sot, ka më shumë se 200 mijë hebrenj kurdë në Izrael. Në atë që pasoi e që në Irak njihet si “Farhud” – dhuna dhe plaçkitjet ndaj popullsisë hebreje të vendit – kurdët luajtën rol kyç për të ndihmuar hebrenjtë të arratisen në dekadat e mëvonshme. Familjet hebreje kanë rrëfyer sesi Masoud Barzani, tashmë presidenti i qeverisë rajonale të Kurdistanit, i kishte ndihmuar personalisht të largohen fshehtas përmes maleve. Izraeli po ashtu u dha mbështetje ushtarake kurdëve, përfshirë edhe trajnues, armatime anti-ajrore dhe një spital ushtarak, sipas të dhënave të Mosadit, në vitet 1970. Për Izraelin, mbështetja e Kurdistanit është një strategji afatgjatë dhe e vjetër e politikës së jashtme. Që prej kohës së kryeministrit të parë izraelit, David Ben-Gurion, vendi ka ndjekur atë që e quan “doktrinë periferike”.

Izoluar në një rajon armiqsh, pas pavarësimit në vitin 1948, Izraeli u përpoq të formojë aleanca me popullsitë jo-arabe dhe minoritetet në Lindjen e Mesme. Fillimisht, kjo strategji përfshinte Iranin, por pas revolucionit Islamik të vitit 1979, Teherani i preu lidhjet me Izraelin. Tani, është Irani që Izraeli kërkon të përballojë. “Ndërsa shtetet me kombësi arabe po largohen, ne duhet të gjejmë aleatë, aleatë të qëndrueshëm”, tha Gideon Saar, ish-ministër i Brendshëm ndërsa apelonte kryeministrin Netanjahu të lobonte më shumë për çështjen kurde në takimet e tij me presidentin Trump. “Mund të shihet sesa shumë po investon Irani në forca armiqësore në kufijtë tanë, kështu që të kemi miq, për Izraelin, në rajon është ekstremisht e rëndësishme”, tha Saar, i cili u takua me një këshilltar të Barzanit kur lideri kurd vizitoi Izraelin në fillim të vitit dhe publikoi qëllimin për të mbajtur një referendum për pavarësinë. Izraeli po ashtu, ka mbajtur lidhje ekonomike me Kurdistanin, duke blerë naftën kurde pavarësisht kundërshtimeve nga qeveria qendrore e Irakut në Bagdad. Pak përpara votimit në referendum, një grup i vogël hebrenjsh kurdë u mblodhën në Jeruzalem për të treguar solidaritet me Kurdistanin, duke mbajtur flamuj e duke kërcyer me daulle. “Ne duam t’i themi botës se kurdët në Izrael mbështesin kurdët në Kurdistan që kërkojnë shtet të pavarur”, thanë përfaqësues të tyre. Por, ashtu si izraelitët, kurdët u dukën të izoluar në rajon ndërsa shkuan në votime. Iraku dhe Turqia kanë lënë të kuptohet se parashikojnë edhe veprime ushtarake. Turqia ka kërcënuar të ndërpresë rrugët e naftës së Kurdistanit, ndërsa stërvitje ushtarake të mëdha janë zhvilluar në kufijtë e rajonit. Ndërsa Irani ka ndaluar fluturimet.