“The Flash” e sjell në ekran edhe aktorin Nicolas Cage

Regjisori i filmit “The Flash”, Andy Muschietti, e ka zbuluar një detaj të rëndësishëm rreth projektit të ardhshëm. Së fundmi ishte bërë e ditur se në filmin e bazuar në superheronjtë e librave komik “DC”, do të përfshiheshin dy Batman, njëri i portretizuar nga Michael Keaton dhe tjetri nga Ben Affleck. Por tani, Muschietti ka zbuluar se aktori tjetër i Hollywoodit, Nicolas Cage, do të ketë po ashtu një rol të vogël me ç’rast e portretizon Supermanin.

“Nicolas ishte absolutisht i mrekullueshëm. Ai është një adhurues i madh i superheroit Superman dhe një fanatik i librave komik. Edhe pse roli i tij në filmin tonë ishte i vogël, ai e dha maksimumin për ta sjell një performancë të bukur. Unë kam ëndërruar gjithë jetë që të punojë me të në një film dhe shpresoj se do të më jepet rasti ta bëjë sërish këtë”, deklaroi regjisori për revistën “Esquire”. Cage ishte planifikuar të luajë në filmin e anuluar të viteve ‘90 të Tim Burtonit, i cili fokusohej në botën e superheronjëve, “Superman Lives”. Sipas aktorit, projekti në fjalë ishte anuluar pasi studioja “Warner Bros” humbi shumë para të investuara në filmin e vitit 1996 të regjisorit Tim Burton, “Mars Attacks”.