Klima dhe ngjitja e rënia e Mesopotamisë
12.000 vjet më parë, Mesopotamia u bë djepi i qytetërimit, sepse pjesa më e madhe e kulturave tona më të hershme doli prej aty. Pasi paraardhësit tanë emigruan në atë zonë, ata gjetën se ajo ishte pjellore për shkak të rrethanave të favorshme klimatike. Ndërsa shumica e zonës tani është e thatë, në atë kohë ishte e përkryer për paraardhësit tanë që të hidhnin “rrënjë”. Megjithatë, rreth 6.000 vjet më parë, disa qytetërime në Gjysmëhënën pjellore u braktisën në mënyrë të menjëhershme, me shumë gjasa për shkak të thatësirave të papritura në rajon. Gjatë gjysmës së parë të epokës së Holocenit, e cila vazhdon edhe sot, Mesopotamia ishte qendra e qytetërimit, por kushtet befas ndryshuan përsëri, duke bërë që djepi i qytetërimit të humbë rëndësinë, teksa u rritën Afrika e Veriut dhe Evropa.
Ndryshimet klimatike dhe Xhengis Khani
Pas rënies së Romës, famëkeqi Xhengis Khan zuri vendin e tij në shkaktimin e frikës në zemrat e njerëzve të vendeve të rrezikuara. Megjithatë, po të mos qe për një klimë të favorshme, Khani s’do të ishte kurrë në gjendje të krijonte perandorinë e tij të madhe. Në fund të viteve 1100, thatësira intensive e shkatërroi Mongolinë para mbretërimit të Xhengis Khanit, por gjatë viteve 1211-1225, reshje jashtëzakonisht të mëdha dhe një klimë e favorshme i bëri pjellore tokat mongole, duke i mundësuar mijëra kuajve mongolë të ushqehen mirë, dhe të jenë kësisoj në gjendje të përballonin fushatat ushtarake kundër Azisë dhe Evropës. Në anën tjetër, ndërsa tokat pjellore të Mongolisë nxitën zgjerimin e tyre të shpejtë, e mbajtën Khanin jashtë Kinës gjatë gjithë mbretërimit të tij, pasi kinezët e dinastisë jugore Song lulëzuan si pasojë e klimës së ngrohtë dhe patën burime të mjaftueshme për të mbajtur Khanin larg. Ndërsa një ndryshim i favorshëm klimatik i mundësoi Khanit të bëhej i fuqishëm, ai la vërtet një shenjë tek klima, pasi lëshoi në atmosfera sasinë e mjaftueshme të dyoksidit të karbonit sa është dëmi që shkakton sot nafta gjatë një viti.
Ndryshimet klimatike i lejuan Mbretërisë së Spanjës të nënshtrojë Amerikat
Pa dijeninë e konkuistadorëve spanjolle, që për herë të parë filluan pushtimet e tyre në hemisferën perëndimore, klima e Amerikave u lejoi atyre t’i pushtojnë këto të fundit pa shumë rezistencë. Konkuistadorët mbërritën në kohën e përsosur, pasi qytetërimet vendase po degradonin për shkak të thatësirave të rënda. Majat arritën kulmin e tyre gjatë viteve 440-660 të Erës Sonë, kur kushtet klimatike me lagështi i lejuan të lulëzojnë, por gjatë viteve 660-1000, Majat iu nënshtruan thatësirave të shumta e të rënda, të cilat shkatërruan perandorinë e tyre. Kur mbërritën konkuistadorët, Majat nuk qenë në gjendje të mbronin veten e tyre. Aztekët gjithashtu pësuan një rënie, për shkak të një mega-thatësire që i goditi në shekullin e XVI-të. Kur ata u pushtuan në vitin 1519, kishte plot 25 milionë njerëz që jetonin në territorin e Meksikës së sotme. Një shekull më vonë, numëroheshin vetëm 1.2 milionë prej tyre.
Kur Stafi i Kenedit rriti temperaturën e studios gjatë debatit me Niksonin
Zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, mes senatorit Xhon F. Kenedi dhe zëvendëspresidentit Riçard Nikson, qenë një nga garat më rezultatin më të ngushtë në histori. Ato qenë gjithashtu qartazi zgjedhjet e para, ku televizioni luajti një rol vendimtar në përcaktimin e fituesit. Nikson dhe Kenedi kishin rënë dakord për një seri debatesh, të transmetuara për herë të parë në televizion. Kenedi e përdori median e re me shumë efektshmëri gjatë garave të tij kongresuale në Masaçusets, dhe stafi i tij i fushatës e kuptoi si duhet të menaxhonte paraqitjen e kandidatit të tyre në ekran për të maksimizuar mbështetjen ndaj tij. Përkundrazi, Niksoni pati shansin të bënte disa paraqitje televizive qëkur ishte zv/president, por ekipi i tij nuk e kishte përdorur asnjëherë televizionin gjatë një gare konkurruese. Para debatit të parë të 26 shtatorit 1960, kandidatët kishin rënë dakord të mos përdorin fare grim. Si Kenedi dhe Nikson e thyen këtë marrëveshje, por në mënyra shumë të ndryshme – Kenedi përdori një shtresë të hollë grimi të vendosur në mënyrë profesionale pak përpara debatit, ndërsa Niksoni një produkt të quajtur “Lazy Shave” për të fshehur disa shenja në fytyrë. Ekipi i Niskonit e dinte që kandidati i tyre djersiste, kështu që ata vendosën një termostat për ta mbajtur studion të freskët. Por edhe ekipi i Kenedit qe në dijeni të problemit që kishte zëvendëspresidenti, dhe fshehurazi e ngriti temperature e studios me disa gradë. Kur kamera filloi të zhvendoset, diferenca mes kandidatëve ishte mbresëlënëse për audiencën që shikonte nga shtëpia. Kenedi dukej rinor dhe i relaksuar, ndërsa Niksoni, edhe pse vetëm 4 vite më i madh se rivali i tij, djersiste pa pushim dhe vazhdimisht fshinte fytyrën me një shami. Debati u pa nga 70 milionë njerëz, dhe votimi më pas tregoi se më shumë se gjysma e votuesve qenë të ndikuar nga shfaqjet e kandidatëve gjatë debatit. Shkencëtarët politikë debatojnë ende sot mbi ndikimin e debatit, por duke pasur parasysh se Kenedi i fitoi zgjedhjet me pak më shumë se 100.000 vota, pak gradë më pak në termostat mund të kishte bërë diferencën.