Emin AZEMI
Ka një komunikim aktiv publik në sferat që përkufizojnë interesimet politike, sociale e kulturore të faktorëve të shumtë në Maqedoni dhe jashtë saj. E ndodhur në vorbullën e ngjarjeve dinamike me karakter vendor e ndërkombëtar, Maqedonia tash së fundmi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nerv që prek ndjeshmërinë e njerëzve, mbi të gjitha të atyre që po i lidhin arketipat e tyre identitare me të ardhmen e këtij vendi, por edhe në një adresë referenciale për shumë fusnota të fshehura diplomatësh e aventurierësh ndërkombëtar.
Ata që ndjekin nga jashtë zhvillimet në Maqedoni, sidomos ato që kanë të bëjnë me problemet identitare, por edhe euro-integruese, do të fitojnë përshtypjen se këtu nuk ka popuj të tjerë dhe se në këtë vend të vogël ballkanik përplasen disa interesa të vjetra e të reja, në qendër të së cilave janë vetëm maqedonasit dhe disa fqinjë të tyre. Po të mos ishin mediat në gjuhën shqipe (disa prej tyre më me përkushtim), të cilat për çdo ditë, aq sa munden, problematizojnë një gamë të gjerë temash që lidhen me këto fërkime gjeopolitike, komunikimi publik te shqiptarët do të përfundonte në rrëfime tribale të prodhuara nëpër berberhane dhe në thashethemnajë grash te çezma e katundit.
Është për të ardhur keq që interesimet publike të shqiptarëve në Maqedoni vazhdojnë të kapilarizohen vetëm përmes atyre pak aktiviteteve politike në Parlament dhe në dikastere të caktuara qeveritare. Gjithçka tjetër mbetet e mbyllur në muhabete çajtoresh, shfryerjesh nëpër rrjetet sociale dhe krijohet përshtypja sikur këtu jo moti ka rënë një bombë kulturologjike që ua ka mbyllë gojën intelektualëve, akademikëve, shkrimtarëve, aktivistëve e veprimtarëve të ndryshëm për të mos folur për temat që lidhen edhe me interes jetike të shqiptarëve.
Nëse perceptimi, i evidentuar nga organizatat e ndryshme, për korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar është i niveleve të larta, kjo as që regjistrohet në vëmendjen publike të shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni. Në anën tjetër, edhe debati konfrontues Shkup-Athinë rreth emrit të shtetit, sikur është bërë monopol i interesimeve publike greke e maqedonase dhe për çudi sensibiliteti qytetar i shqiptarëve vazhdon të mos ketë kurrfarë impakti në rrjedhat e këtij debati. Asnjë tryezë historianësh e intelektualësh shqiptarë nuk u organizua, asnjë publikim tematik nuk e pa dritën e diellit, dhe asnjë përfshirje studentore nuk u regjistrua në gjithë këtë debat.
Për çka flet kjo?
Ekziston një bindje e gabuar te shqiptarët në Maqedoni se vetëm politikanët duhet të merren me tema të mëdha. Ose, temat që lidhen me identitetin dhe raportet me fqinjët, u përkasin vetëm maqedonasve. Jo të gjithë pajtohen me këtë bindje dhe ata pak zëra mundohen të mediatizojnë pakënaqësinë e tyre, por kjo nuk mjafton dhe është tepër pak në krahasim me atë çka duhet të bëhet. Një shoqëri e gjerë, ku nuk ka vetëm politikanë, duhet të jetë më aktive në ngritjen e çështjeve të përgjithshme dhe nëse krejt gajlet iu lihen politikanëve atëherë çfarë të drejte kemi që ti kritikojmë ata nëse gabojnë. Kritikuesit e politikanëve, para se të kenë hedhur hapin e gabuar në drejtim të gjetjes së fajtorëve në oborret e huaja, është mirë të hulumtojnë se çfarë po bëjnë ata që gjërat të të marrin orientim të duhur. Është anakronike të bëhet një krahasim në mes të kohës që po e jetojmë dhe viteve 70 e 80 të shekullit të kaluar, por duhet evidentuar se angazhimi intelektual e shoqëror i shqiptarëve ishte në nivel shumë më të avancuar se tani. Rezultat i atyre angazhimeve madje pati edhe burgosje e persekutime dhe është për të ardhur keq që një pjesë e intelektualëve të sotit gjithë ditën mrizojnë para zyrave të ministrave për të siguruar një copë angazhim shtesë, në ndonjë Këshill a Bord. Sikur këto angazhime të kishin karakter utilitar e publik, me impakt në emancipimin shoqëror e kulturor të shqiptarëve, gjithçka do të justifikohej, por kjo nuk ndodhë, sepse virusi i dëmshëm “fito pa punu” që është instaluar nëpër institucionet publike e shtetërore ka prekur shumë të ashtuquajtur kuadro dhe shoqëria e gjerë nuk ka kurrfarë hairi prej tyre.
“Komunikimi publik” i shqiptarëve vazhdon të reduktohet në suaza të thashethemeve, dhe kot presim ndonjë ndryshim përmbajtjesor e cilësor përderisa angazhimet dhe interesimet publike zëvendësohen me vetëkënaqësi aparatçikësh që marrin të ardhura të majme duke u lavdërur në ndeja akrabash se “po fitojnë pa punu”.