Asnjë qenie njerëzore nuk mund t’u rezistojë informacioneve private mbi personat e tjerë. Thashethemi është një mekanizëm që shërben për të krijuar lidhje shoqërore. Këtë karakteristikë e kemi trashëguar nga paraardhësit tanë. Teksa bisedonin mes tyre, të parët tanë mësonin të ndanin miqtë nga armiqtë, duke e bërë grupin gjithnjë e më të sigurt dhe kompakt. Kur fisi u zgjerua, nuk ishte më problem që të gjithë përgojonin njëri-tjetrin. Njerëzit filluan të flisnin për personat që ishin shumë larg rrethit të ngushtë: të këqijtë nuk identifikoheshin në mënyrë direkte, por nga fjalët që qarkullonin në komunitet. Te fiset e paraardhësve tanë, thashethemet ishin të lidhura në mënyrë indirekte me inteligjencën shoqërore: personat që shfaqnin më shumë kureshtje për jetën e të tjerëve, ishin më të aftë të ndikonin në sjelljet e grupit. Përzgjedhja natyrore ka favorizuar më shumë individët intrigantë, aq sa sot është e vështirë të gjesh dikë që nuk ka interes të dëgjojë një histori pikante apo shumën e të ardhurave të një të afërmi. Në fakt thashethemet kanë edhe efekte pozitive. Ndarja e thashethemeve me të tjerët për shembull, tregon se ke besim te tjetri dhe në këtë mënyrë konsolidohen edhe lidhjet shoqërore. Nuk është gjë e mirë të përjashtohesh nga rrethi i të besuarve. Kjo do të thotë se nuk jeni pranuar nga grupi. Të pranosh reputacionin e dikujt që qëndron më lart se ju i bën mirë edhe shëndetit. Sipas një studimi të informosh miqtë dhe të afërmit për pandershmëritë e të tjerëve shkarkon stresin e grumbulluar gjatë ditës. Një gjë e tillë ka efekt qetësues dhe do ta bënte më pak të dhimbshëm faktin që po bëni “një mëkat”. Nëse dikur në shënjestër ishin të fortët, sot objekt i thashethemeve janë edhe divat e spektaklit dhe personazhet publike, sepse në njëfarë mënyre njohja me këto subjekte, e përcjellë nga mediat, i krahason me të “fortët”. Por ka edhe nga ata që janë të gatshëm të bëjnë skupe vetëm për t’u bërë të famshëm, për t’u shfaqur në televizor e gazetë.