Projekti “CityTree” pritej se do të ndihmonte në luftën kundër ndotjes së ajrit në Tetovë, me mundësi që projekti në fjalë të implementohej edhe në qytetet tjera. Megjithatë, tani e njëjta është tharë tërësisht
Urim HASIPI
Tetovë, 6 korrik – Kopshti vertikal për pastrimin e ajrit i quajtur ndryshe “City Tree” ose “Pema e qytetit”, tashmë një kohë të gjatë është jashtë funksionit. I vendosur para një viti në qendër të Tetovës si donacion nga Ambasada e Gjermanisë, “Pema e Qytetit” tashmë nuk ka asnjë funksion dhe është tharë tërësisht. Para gjashtë muajve kishte dëmtime të pjesërishme dhe të njëjtat u sanuan, por tashmë nuk kryen asnjë funksion. Këtë e kanë konfirmuar edhe nga ana e Komunës së Tetovës.
“Para gjashtë muajve, ne si komunës së bashku me shoqatën ‘Eko Svest’, kemi intervenuar në atë pjesë që ishte tharë dhe sërish u vendos në funksion”, tha për KOHA, Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Shkak që “Pema e Qytetit” nuk funksionin është mirëmbajtja në kohë, dëmtimi dhe kushtet klimatike, pohojnë nga Komuna e Tetovës.
“Arsyet që është jashtë funksionit janë kushtet klimatike dhe faktori njeri, sepse ata dëmtohen, vidhen apo hidhen mbeturina të ndryshme dhe kjo i shkakton probleme gjatë procesit të ujitjes”, deklaroi Fazliu. Nga komuna njoftuan se pritet që shumë shpejt, pema vertikale të riparohet tërësisht dhe të fillojë të funksionojë normalisht edhe pse vitin e kaluar akuzat ishin se autoritetet komunale nuk janë kujdesur për mirëmbajtjen e së njëjtës dhe prandaj ka ndodhur havaria. Problem në vete është edhe vjedhja e të njëjtëve nga qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët i marrin për përdorim në shtëpitë e tyre. Përndryshe, ky filtër bimor kompenson ndotjen e 417 automjeteve në nivel vjetor dhe mund të përshtatet në çdo mjedis jetësor. “City Tree” ka efektin e njëjtë sikur të ishin mbjellë 275 drunj në Tetovë. Falë paneleve diellore dhe sistemit për të absorbuar ujin e shiut, kjo strukturë është praktike dhe rezistente, ndërsa e njëjta ka nevojë servisimi për vetëm disa orë në vit. Konstruksioni përmban dhe sensore për të mbledhur të dhëna të rëndësishme për mjedisin jetësor dhe klimën me qëllim për të rregulluar dhe kontrolluar të gjithë strukturën dhe për të siguruar mbijetesën e bimëve.
Projekti “CityTree” është theksuar më herët se do të ndihmojë në luftën kundër ndotjes së ajrit në Tetovë, me mundësinë që projekti në fjalë të implementohet edhe në qytetet tjera. Në të njëjtën kohë, ajo do të shërbejë për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të filluar diskutimet mbi politikat dhe praktikat për të zbutur problemet e ndotjes së ajrit, shkruan gazeta KOHA.
“City Tree” ose në përkthimin tekstual “Pema e Qytetit”, është një strukturë vertikale e myshqeve, me një lartësi prej 4 metrash, një gjerësi prej 3 metrash dhe një thellësi prej 60 centimetra. “City Tree”, i cili është instaluar në pjesën qendrore të qytetit, paraqet një strukturë vertikale të bimëve, të cilët bëjnë thithjen e pluhurit dhe kanë aftësinë të neutralizojnë 240 ton dyoksid karbon në vit. I njëjti në Tetovë është vendosur më 21 mars të vitit të kaluar. (koha.mk)