Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur votimin në Kuvendin e Maqedonisë për amendamentet kushtetuese me të cilat Maqedonia i dha fund kontestit shumëvjeçar me Greqinë rreth emrit duke shtuar se Republika e Maqedonisë apo Maqedonia e Veriut, siç do të quhet tani, bëri një hap të madh përpara, duke i hapur perspektivë stabilitetit politik.
“Parlamenti i Republikës së Maqedonisë dëshmoi guxim, vizion dhe vetëdije të lartë, duke votuar për ndryshimet kushtetuese të parapara me Marrëveshjen e Prespës, që shënojnë hapin final drejt ndryshimit të emrit të vendit. Vendimi i tyre nuk ka qenë fare i lehtë, as popullor, por ishte vendim i duhur, i cili tejkalon interesat partiake për shtetin dhe qytetarët. Republika e Maqedonisë apo Maqedonia Veriore, siç do të quhet tani, bëri një hap të madh përpara, duke i hapur perspektivë stabilitetit politik, vazhdimit të reformave dhe integrimit të vendit në institucionet veriatlantike, për t’iu garantuar jetë më të mirë qytetarëve dhe brezave të rinj. Viti 2019 duhet të jetë vit i vendimeve të mëdha edhe për Kosovën. Vit kur duhet të përmbyllet edhe konflikti shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.