Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi porositi se operacioni i sotëm i polcisë në veri të Kosovës është për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe i bëri thirrje komunitetit serb të qëndrojnë të qetë dhe ta mbështesë luftën kundër krimit të organizuar, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
“Institucionet e rendit dhe ligji kanë nevojë për besim dhe mbështetje maksimale të tërë shoqërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij në Fejsbuk.
Ai porositi se në dekadën e dytë të ekzistimit të Kosovës si shtet “nuk do të ketë vend për krim të organizuar”.
“Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës nuk do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të paligjshme do të përfundojnë pas hekurave. Operacioni i sotëm i policisë në veri të Kosovës është për të mirën e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre dhe i bëj thirrje komunitetit serb të qëndrojë i qetë dhe ta mbështesë luftën kundër krimit të organizuar. Përforcimi i rendit dhe qetësisë është nga rëndësia jetësore për barazi të të gjithë qytetarëve dhe e përshpejton lëvizjen tonë drejt proceseve të integrimeve euroatlantike”, ka shënuar Thaçi. (koha.mk)