Tetovë, 29 qershor – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi sonte realizoi takime me qytetarët në më shumë vendbanime në Komunën e Bërvenicës. Ai porositi se është e rëndësishme të zbatohen tri masa të mëdha për tejkalimin e gjendjes me pandeminë pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Masa për ballafaqim me Kovid-19 janë të nevojshme në Spitalin Klinik në Tetovë i cili duhet të marrë të paktën 1 milion euro për të funksionuar si Spital universitar klinik dhe ta mbrojë shëndetin e shqiptarëve. Çdo anëtar i familjes duhet t’i marrë nga 100 euro ndihmë urgjente për tejkalimin e pasojave nga kriza. Dhe e treta, të ndihmohet çdo punonjës taksie dhe kamerier, për bizneset e mëdha me më pak procedura”, deklaroi Menduh Thaçi në Çellopek.
Ai theksoi se është e lehtë që PDSH-ja të zgjidhet në zgjedhje.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme, kjo është luftë për liri pa armë për barazi. Dilni nga shtëpia, mbani maskë dhe stilolaps, shkoni në vendvotim. Rrethoni numrin 1 Menduh Thaçin, Zoti na ndihmoi të jemi të parët në listë”, theksoi Thaçi.
Para të pranishmëve folën edhe kandidatët e tjerë për deputetë të Komunës së Bërvenicës.