Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Bruksel, tha se në këtë takim ka theksuar dëshpërimin e Kosovës sa i përket shtyrjes se liberalizimit të vizave nga shtetet anëtare të BE-së.
Thaçi në një konferencë për media tha se në të ardhmen e afërt do të ndodhë vendimi që u mundëson kosovarëve lëvizjen e lirë.
“Kosova nuk ka tjetër alternativë përveç të lëvizë drejt NATO-së dhe Bashkimit Europian. Gjithashtu ky vakum mund të krijohet mund të shfrytëzohet nga të tjerët që nuk i duan standardet europiane. Por, do të punojmë të gjithë së bashku, si spektër politik, shoqëri civile dhe me mediat që të sqarohet edhe me tepër ky proces. Kosova ka kryer obligimet e veta por BE dhe shtetet anëtare duhet të marrin vendimin ne javën dhe muajt e ardhshme dhe vlerësoj që do të ndodhë në të ardhmen e afërt”, tha Thaçi.
Presidenti theksoi se në bashkëpunim me ekipin negociator do të arrijnë një marrëveshje finale me Serbinë.
“Sa i përket arritjes së një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, është inkurajues fakti që të gjithë liderët mbështesin përpjekjet e të dy shteteve duke konkluduar se marrëveshja do të prodhojë më tepër paqe, stabilitet dhe më tepër frymë europiane. Shpresoj dhe besoj që bashkë me ekipin negociator që në javët dhe muajt në vazhdim të arrijmë një përfundim të marrëveshjes finale dhe ku Kosova do të arrijë njohjen e Serbisë dhe të 5 vendeve tjera të BE-së”, tha presidenti Thaçi.
Ai përsëriti se letra e presidentit amerikan, Donald Trump është zëri i Amerikës dhe shpresë për Kosovën.
“Besoj që nuk ka lider në Kosovë qe i thotë “jo” letrës së Trumpit. Kjo letër është qëndrim i SHBA-ve”, shtoi ai.
Ndërsa sa i përket taksës ndaj produkteve te Serbisë, se a u diskutua në këtë takim, ai foli shkurt.
“Do të mundohemi dhe punojmë që me vullnet të mirë që të tejkalohen dhe të hapen mundësitë për të mos kushtëzuar njëri-tjetrin”, përfundoi Thaçi.