Kryetari i PDSH-së dhe bartësi i NJZ 6, Menduh Thaçi sonte në tubimin e partisë në komunën e Bogovinës, Tetovë, deklaroi se në këto zgjedhje kanë program i cili ndryshon nga ai i BDI-së dhe bazohet në përvojën e tij 25-vjeçare. Thaçi u premtoi qytetarëve sjelljen e ligjit për faljen e borxheve të qytetarëve në nevojë. “Konsiderojmë se të drejtat tona pa buxhet përkatës janë të pashpresa. Prandaj kërkojmë buxheti të shpërndahet në mënyrë të barabartë dhe investime në pjesën perëndimore të vendit. Planifikojmë ligj për amnisti fiskale, me të cilin do të lirohen të gjithë qytetarët nga debitë, nga gjobat kundrejt shtetit. Madje edhe deputetët tanë do t’i detyrojmë që të shpenzojnë më pak që të ketë para për këtë ligj”, tha Thaçi. Ai e theksoi edhe angazhimin e tij për anëtarësimin në BE dhe në NATO. “Ne jemi aleatët kryesorë të Amerikës dhe të NATO-s dhe kjo duhet që të shfrytëzohet. Partitë më të vogla nuk mund t’i ndalojmë që të veprojnë, por çdo votë për ta është një votë e humbur për shqiptarët. Kësaj radhe BDI-ja nuk do të mund të manipulojë me votat, sepse bashkësia ndërkombëtare është garanci për këto zgjedhje”, theksoi lideri i PDSH-së. Në Qeverinë e ardhshme, shtoi, do të kërkojnë që të ketë vetëm një nënkryeministër i cili do të vendosë veto në vendimet e Qeverisë. Do të kërkojmë edhe ligj të ri për gjuhët për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.