Prishtinë, 26 mars – Banorët e Krushës së Vogël sot përmes një tubimi përkujtimor shënuan 20 vjetorin e rënies së 113 martirëve, nga ku kërkuan nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të zbardhet e vërteta për fatin e të pagjeturve, njofton KOHA.
Me këtë rast, aty morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë komunash.
Presidenti Thaçi, tha se sot kujtohen mijëra qytetarë të Kosovës, gra, burra, pleq, të rinj e fëmijë, të cilët u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.
Ai kujtoi se dhunën sistematike të forcave serbe, shqiptarët e kishin provuar në masakrën e Likoshanit, të Çirezit, Reçakut e vendbanime të tjera të Kosovës. Teksa shtoi se masakra e Krushës ishte më e madhja që ndodhi në gjithë Kosovën, në të cilën u vranë 243 persona.
I pari i shtetit të Kosovës theksoi se në këtë ditë të pikëllimit, përcillet edhe mesazhi i krenarisë ku të rinjtë dhe të rejat rriten e shkollohen në liri, në vendin e tyre i cili ndodhet drejt i integrimit evropian.
Kryeministri Haradinaj, u shpreh se në Krushë të Vogël është një plagë e madhe, përkundër vendit të vogël për nga banorët dhe familjet që jetojnë aty.
Duke parë gra, fëmijë e burra mes lotësh, Haradinaj tha se do t’i nxjerrin në pah më shumë se kurrë, përgjegjësitë që kanë institucionet e vendit ndaj kategorive të lirisë.
Kryetarja e fshatit, Shpresa Shehu, tha se asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari eshtrat e martirëve të fshatit, që edhe pas 20 vitesh nuk pushojnë në vendin e duhur, si dhe drejtësi në institucionet vendore dhe ndërkombëtare derisa drejtësia të vihet në vend.
Shehu u shpreh se ende jetojnë me plagët e thella të cilat bëjnë përpjekje për tu përtharë.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka u shpreh se është shumë e padrejtë që 20 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë të dënuar për krimet e kryera në Kosovë dhe ende nuk dihet fati i të rënëve.
Kurse, kryetari i shoqatës “26 Marsi”, Agron Limani, tha se paslufta sfidoi keq Kosovën, me përfaqësues institucional që përfituan mbi dhembjen e familjeve për të përfituar për vete, teksa akuzoi edhe UNMIK-un dhe EULEKS-in për fshehje të fakteve dhe mbulimin e krimeve serbe në Kosovë.
“Nga ky vend akuzojmë publikisht UNMIK-un për fshehjen e gjurmëve dhe fakteve të krimeve serbe, zvarritjen e hetimeve dhe mosmarrjen e masave për ngritjen e padive për kryerësit e krimeve. Poashtu, akuzojmë misionin e dështuar të EULEKS-it, për mbulimin e krimeve serbe me heshtje… Po ashtu, akuzojmë klasën tonë politike të cilët vetëm kur kishin interes personal merreshin me temën e të zhdukurve”, u shpreh ai.
Në mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël për një ditë u vranë dhe masakruan 113 persona prej moshës 13 vjeçare e deri tek më i vjetri. (koha.mk)