Prishtinë, 5 tetor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës së shpejti do të marrin mandatin e ri të tyre.
“Natyrisht, gjithmonë duhet ta kujtojmë se këto forca janë bërë në partneritet me Paktin NATO dhe kështu do të jetë gjithmonë. Ne duam ta bëjmë marrëveshjen historike me Serbinë, që duhet të sjellë njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes nesh, si dy shtete fqinje. Ne nuk pranojmë asgjë më pak se njohjen formale nga Serbia. Njohja reciproke Kosovë-Serbi hap rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, për të dy vendet”, ka thënë presidenti Thaçi në pritjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë për “Ditën e Gjermanisë”, njofton Telegrafi.
Kurse, dështimi i arritjes së marrëveshjes dhe mungesa e njohjes reciproke, sipas presidentit Thaçi, nënkupton status-quo dhe vazhdim të konfliktit të ngrirë. Presidenti Thaçi ka thënë se për realizimin e këtyre qëllimeve të rëndësishme, e di që e ka përkrahjen e shtetit mik të Gjermanisë.
Thaçi ka folur edhe për bashkimin e Gjermanisë. “Bashkimi i Gjermanisë, në vitin 1990, u përcoll me ndryshime dramatike në gjithë Evropën. Atë ditë përveç që u bashkuan dy Gjermanitë, në të njëjtën kohë u hodhën themelet e një Evrope të bashkuar rreth vlerave më të qëndrueshme të qytetërimit perëndimor”, u shpreh presidenti Thaçi.
Pa këtë ndryshimin e madh në Evropë dhe në botë, sipas presidentit Thaçi, do të ishte e paimagjinueshme që Kosova të bëhej vend i lirë dhe shtet i pavarur.