Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dorëzuar Projekt-ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, shkruan REL.
Thaçi tha se me transformimin e saj, FSK nuk do të bie ndesh me mandatin që ka misioni i KFOR-it në Kosovë. Ndërkaq, lidhur me mospajtimin e Listës Serbe për transformimin e FSK-së në një Forcë të Armatosur të Kosovës, përkatësisht në ushtri, Thaçi tha se Kosova nuk mund të mbetet peng i vullnetit politik të kësaj Liste, e cila vullnetin e saj politik e mbështet në qëndrimet e Beogradit.
Ky Projektligj, pritet të dërgohet në komisionet përkatëse dhe më pas edhe në Kuvend për votim. Krysetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se shpejt do të procedohet me Projekt-ligjin e prezantuar nga presidenti Thaçi. Transformimi i FSK-së sipas Projekt-ligjit të prezantuar nga Thaçi, pritet të shtohet në numër, kapacitete dhe pajisje. Po ashtu, ai tha se transformimi nënkupton respektimin e karakterit multietnik dhe vazhdimin e partneritetit të ngushtë me NATO-n, përkatësisht KFOR-it.
“Është një transformim jo për krijimin e një ushtrie shqiptare, por shumetnike”, ka theksuar Thaçi. Kosova, vijoi ai, dëshiron të jetë pjesë e NATO-s, por nuk mund të jetë anëtare e NATO-s pa ushtrinë e vet.