Shkup, 11 dhjetor – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, duke i komentuar rezultatet e procesit zgjedhor, tha se partia e tij në këto zgjedhje ka pësuar rezultat të dobët dhe se përgjegjësinë për këtë rezultat e merr përsipër personalisht ai. Në ndërkohë, raporton gazeta KOHA, ai ka potencuar se “humbës katastrofal i këtyre zgjedhjeve është partia e Bashkimit Demokratik për Integrim”, ndërsa shtoi se fitues absolut i së dielës është koalicioni “Rilindje me BESË”. Këtij koalicioni, kryetari i PDSH-së, Thaçi, i ofroj mbështetje të plotë politike dhe me këtë rast i uroi aktivistët dhe drejtuesit e këtij koalicioni për fitoren, siç u shpreh ai, bindëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ndryshe, përfaqësuesit e PDSH-së, përkundër asaj se mbajtën dy konferenca për shtyp, nuk treguan numrin e saktë të votave të cilat i kanë fituar në këto zgjedhje.