Prishtinë, 27 maj – Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi sot se populli i Kosovës dhe i Shqipërisë duhet të jetojnë në një shtet të përbashkët pa kufij.
Thaçi në shënimin e sotëm të 20 vjetorit të operacionit “Shigjeta” të Ushtrisë Çlirimtare të Kovës (UÇK) gjatë konfliktit të Kosovës, kërkoi nga kuvendet e Kosovës dhe të Shqipërisë që të miratojnë deklarata, sipas, siç tha, “vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë” për bashkim.
“E ardhmja e Kosovës është e sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE. Por po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxirrnin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, deklaroi Thaçi.
Ai tha se është për bashkimin e të dyja shteteve sepse, sipas tij, BE-ja e diskriminon Kosovën dhe e ngadalëson të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
“Derisa BE-ja e diskriminon Kosovën dhe e ngadalëson të ardhmen evropiane të Shqipërisë, rruga më e mirë dhe më e fuqishme është respektimi i vullnetit të të dyja vendeve tona të ndara padrejtësisht që tani e tutje të jetojnë si një shtet, duke e bashkuar kombin tonë. Bashkimi kombëtar është e drejtë dhe vullnet historik i qytetarëve tanë”, deklaroi Thaçi.