Tetovë, 19 mars – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në një paraqitje për media ka apeluar deri tek qytetarët që në këtë kohë të kujdesen për shëndetin e tyre. Ai ka kërkuar që Qeveria menjëherë të merr vendim që të nxjerrë ushtrinë, në mënyrë që të sigurojë objektet shëndetësore, sidomos të garantojë sigurinë të mjekëve, shkruan gazeta KOHA.
“Në e dimë se në Tetovë dhe Gostivar, shumë pseudo komandantë kanë ngritur dorë mbi mjekët dhe duhet të marrim një sinjal serioz se mjeku është oficeri i kësaj lufte. Një ushtri që humb oficerin nuk e fiton këtë luftë. Apeloj qytetarët të mos çelin internetin dhe të dëgjojnë vetëm ekspertët, vetëm mjekun, të tjerat janë të pasakta dhe të paverfikuara”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Sipas tij, kjo është një fatkeqësi dhe ndoshta në të ardhmen do të humbin edhe njerëz tanë të afërm. “Kaq rrezikshmëri të madhe që paraqet Covid 19, njësoj rrezikshmëri paraqet edhe paniku. Nuk i ndjek ekspertët, nuk ndjek rekomandimet kjo është shumë e keqe, sepse kjo do të kalojë me pasoja të rënda. Krejt bota lufton me vetizolimin, jo për ta luftuar virusin, por thjesht për të mos ardhur deri në situatën që të kemi me qindra të infektuar dhe gjithë sistemin tonë ta sjellin në kolaps total. Nëse kemi kolaps të sistemit shëndetësor atëherë nuk mund të luftojmë këtë pandemi”, tha Thaçi.
Kreu i PDSH-së ka apeluar që Qeveria të zgjat afatin e recetave për të sëmurit kronikë. Ai ka thënë se për keqkuptimet që kanë dalë lidhur me kërcënimet me personin Sedat Beker, tha se ai është mik i vendit tonë, kurse për kërcënimet tjera nënvizoi se nuk ndjehet i shqetësuar sepse institucionet janë të informuara dhe opinioni në kohë do të ketë informacione. “Kam patur takime me institucione në vend, do të takohem edhe me institucione të Shqipërisë dhe besoj do të qartësohet gjithçka”, tha Thaçi. (koha.mk)