Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka takuar sot ambasadorin e BE-së, Samuel Zhbogar. Në takim, siç thuhet në komunikatën drejtuar mediave, u bisedua për tema lidhur me situatën aktuale politike, si dhe për reformat që vendi duhet ti zbatojë në rrugën drejt integrimit euro-atlantik. “Kryetari Thaçi e njoftoi Ambasadorin e BE-së me qëndrimet e PDSH-së rreth situatës politike në vend, si dhe me pikëpamjet e PDSH-së për zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe debllokimin e proceseve integruese, duke theksuar se rrugëdalja e vetme në zgjidhjen e këtyre çështjeve është te vazhdimi i dialogut të mirëfilltë politik me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar. Kryetari Thaçi konstatoi se problemet kryesore të Maqedonisë janë proceset integruese që lidhen edhe me çështjen e emrit, të drejtat e shqiptarëve, si dhe funksionimi i institucioneve, andaj Partia Demokratike Shqiptare si parti opozitare do të jetë konstruktive dhe do të përkrah çdo nismë institucionale që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, me reformat e mirëfillta, si dhe me de-bllokimin e proceseve integruese”, thuhet në komunikatë. Thaçi, thuhet më tej në komunikatë, vlerësoi se janë momente shumë të rëndësishme për vendi dhe rajonin dhe se qeveria e porsazgjedhur duhet ti qaset me seriozitet premtimeve të veta drejt reformave sistemore dhe proceseve integruese. “Bashkëbiseduesit ranë dakord se vazhdimi i dialogu politik është me rëndësi të veçantë, veçanërisht për vendet aspirantë dhe se do të ndikonte në adresimin e drejtë të temave që kanë të bëjnë me reformat e mirëfillta, ku të gjitha palët duhet të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të ndihmojnë lëvizjen e proceseve përpara drejt integrimit në NATO dhe BE”.