Prishtinë, 1 korrik – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi parashtroi sot në Kuvend për shqyrtim dhe miratim projekt-rezolutën për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për bashkim me Kosovën, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Thaçi në shkresën për Kuvendin thotë se dokumentin të cilin e propozon bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe “në kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës që të ndihmojnë për mbrojtjen dhe për përmirësimin e pozitës së tyre dhe për realizimin e kërkesave të tyre historike” për t’iu bashkuar Kosovës.
“Në bazë të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 6.1 të Rregullores së Kuvendit, me këtë shkresë ua dërgojmë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend Projekt-rezolutën për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, qëndron në letrën e kabinetit të Thaçit për deputetët.
Sipas projekt-rezolutës së Thaçit, institucionet kosovare obligohen “ta respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur në referendumin e vitit 1992 si edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB)”.
“Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, gjegjësisht të shqiptarëve të cilët jetojnë në hapësirat e tyre autoktone në komunat e administruara nga Serbia – Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëvendosje, janë legjitime, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe janë kërkesa të cilat kanë të bëjnë me të drejtat historike dhe politike dhe të drejtat e një popullate e cila dëshiron të jetojë në liri, si edhe të gjithë popujt evropianë”, thuhet, midis tjerash në projekt-rezolutë.
Sipas idesë së Thaçit, i cili prej një viti angazhohet për zgjidhjen e kontesteve me Serbinë me “korrigjimin e kufijve”, por pa u dhënë territor i Kosovës, kërkesat e shqiptarëve nga Serbia e Jugut për bashkim ndaj Kosovës, “do ta ndihmojnë stabilitetin afatgjatë dhe do të kontribuojnë për arritjen e paqes afatgjate në rajon”.
Në Kuvendin e Kosovës sot u diskutua për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërsa deputeti Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), shkresën e Thaçit, e cila para deputetëve erdhi gjatë debatit, e vlerësoi si “edhe një prej mashtrimeve të shumta të tij”.(koha.mk)