Prishtinë, 26 mars – Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi paralajmëroi se do t’i fillojë konsultimet me liderët e të gjitha partive politike për formimin e Qeverisë së re, pasi mbrëmë Kuvendi i Kosovës i votoi mosbesim kabinetit të Albin Kurtit.
Gjatë vizitës në Batalionin e Mjekësisë në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Thaçi deklaroi se, në konsultim me liderët e partive, do t’i shqyrtojë mundësitë për formimin e “qeverisë së re të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirës”.
“Pas rënies së Qeverisë, si president i vendit pa humbur kohë do të fillojë konsultimet me liderët e të gjitha partive parlamentare për të shikuar mundësinë e krijimit të qeverisë të re të stabilitetit, unitetit dhe të gjithë përfshirjes. Në çdo hap timin, si presidenti vendit, do e respektoj në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Thaçi.
Në Kuvendin e Kosovës mbrëmë me shumicë votash, u votua mosbesimi i Qeverisë Kurti. Nismën për rrëzimin e Qeverisë e parashtroi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri tani në pushtet, ndërsa e mbështetën edhe partitë e tjera parlamentare, si dhe ato opozitare, ashtu edhe të komuniteteve të tjera serbe dhe joshumicë, të cilat ishin pjesë e kabinetit të Kurtit. Kundër ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) të Kurtit, si dhe tre deputetë të LDK-së, mes të cilëve edhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.(koha.mk)