Shkup, 22 dhjetor – Kryetari nëntë vjeçar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe kryetar i Këshillit Drejtues të PDSH-së, Menduh Thaçi ka dhënë dorëheqje. Ky veprim ka ardhur pas humbjes së disa mandateve në zgjedhjet e fundit, duke rënë në vetëm dy deputet. “Të dashur miq, sapo dorëzova dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Këshillit Drejtues të PDSH-së. Partinë Demokratike Shqiptare do ta drejtojë në mënyrë kolektive Këshilli Drejtues deri në Kongresin e jashtëzakonshëm, data e mbajtjes e të cilit do të caktohet nga Kuvendi Qendror i Partisë. Koordinator i aktiviteteve u emërua Sekretari i Përgjithshëm, Azem Sadiku, ndërsa unë mbetem ushtarë i bindur i Partisë Demokratike Shqiptare”, ka shkruar Thaçi në Facebook. Thaçi ushtron postin e kryetarin të partisë nga viti 2007, kur ish-kryetari, tashmë i ndjerë, Arbër Xhaferi dha dorëheqje.