Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se takimi i krerëve të Kosovës dhe Serbisë më 29 prill në Berlin thjesht paraqet vazhdim të interesit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Thaçi përmes faqes së tij në Fejsbuk pohon se në këtë takim nuk do të ketë kurrfarë plani për propozimin e ndonjë zgjidhje për marrëveshje midis Prishtinë dhe Beogradit.
Ai, gjithashtu, mohon se pas këtij takimi fshihet ndonjë agjendë sekrete për zgjidhjen e kontesteve midis Kosovës dhe Serbisë.
” Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” shkruan Thaçi.
Sipas presidentit të Kosovës, “për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave” për qytetarët koovarë.
“Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi”, ka porositur Thaçi. (koha.mk)