Prishtinë, 31 korrik – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sapo mbajti edhe një konferencë për media, ku në fokus të veçantë pati fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.
Së pari Thaçi ka falënderuar partitë politike dhe shoqërinë civile që janë pro fazës finale të dialogut, pastaj ka theksuar e riktheksuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Ai tha se një gjë e tillë as nuk do të diskutohet e lëre më që dikush të tentojë ta realizojë këtë ndarje.
Ditë më parë, teksa ka kërkuar mbështetjen e partive politike për dialogun, ai ka frikësuar opinionin se në bisedime s’ka vija të kuqe, duke mos u shfaqur decidiv as kundër ndarjes. Por, sot ka folur më ndryshe.
“Si president i vendit siguroj se nuk do të ketë forcë që do të na detyrojë të diskutojmë për ndarjen e Kosovës”, tha Thaçi në konferencë, shkruan Gazeta Express.
Më tej ai tha se do të punojë që marrëveshja finale të jetë në përputhshmëri me të drejtat kushtetuse dhe ligjore. Ai tha se dialogu do të përmbyllet me njohje reciproke dhe me mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB, NATO dhe BE.
“Që të mbyllet me njohje reciproke dhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat botërore”, tha ai.
Thaçi përmendi konferencën e Rambujesë dhe arritjes së lirisë më pas konferencën e Vjenës dhe arritjen e pavarësisë. Sipas tij, kur pozita dhe opozita është bërë bashkë gjithmonë ka pasur rezultate të mira.
“Aty ku kemi marrë vendime të përbashkëta kemi dalë mirë si në Rambuje që fituam lirinë dhe në Vjenë pavarësinë”, tha ai.