“Nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por është alternativë, sikurse që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia”, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë po ashtu se nuk i inkurajojnë deputetët rreth kësaj nisme, por nëse Kuvendi e aprovon atë, do ta nënshkruante si president. “Unë ndihem shumë krenar që jam president i një vendi me orientimin dhe vullnetin më pro-amerikan në botë, më pro-evropian në Evropë dhe më pro-NATO, madje edhe prej vet vendeve anëtare të NATO-s. Prandaj, diçka e tillë as nuk ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë. Edhe iniciativa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të kuptohet si një alternativë dhe jo si një sfidim i drejtësisë, jo si injorim apo ikje nga drejtësia. Ata janë njerëzit e zgjedhur nga populli. I japin llogari zgjedhësve të vet dhe nuk i japin llogari as presidentit dhe as ndonjë mekanizmi tjetër institucional. Prandaj, Kosova vazhdon të punojë në rrugën e vet euro-atlantike, për angazhimin e saj të sinqertë për t’u integruar në NATO, në Bashkimin Evropian dhe ruajtjen e përhershme të raporteve të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asnjë çmim nuk do ta lëkundë orientimin euroatlantik të Kosovës”, është shprehur Thaçi.